E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi fal nënë Feridenë

Presidenti i Republikës ka ushtruar të drejtën e faljes së dënimit duke i dhënë lirinë gruas që u bë e njohur në media si nënë Ferideja. Feride Bako , 75 vjeç e dënuar për kultivim të lëndëve narkotike ka marrë tashmë faljen nga presidenti i Republikës duke u rikthyer kështu pranë familjes së saj. 75 vjeçarja Bako u bë e njohur në media për shkak të përfshirjes së kryesocialistit Edi Rama i cili kërkoi personalisht faljen e dënimit të saj. Për më tepër lideri socialist Rama e shoqëroi me makinën e tij personale Feride Bakon në shtëpinë e saj për festat e fund vitit. Feride Bako u shndërrua në një personazh të mirëfilltë mediatik pasi pak ditë më parë ajo u shfaq sërish në ekranet e televizioneve këtë herë duke kërkuar ndihmën e qeverisë për të dale nga burgu. Duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji kreu i shtetit Topi ka falur 37 persona që vuajnë dënimet në burgjet shqiptare dhe që kryesisht janë të moshuar. Në listën e publikuar kreu i shtetit ka përfshirë persona nga mosha 41 deri ne 74 vjeç. Vëmendje të veçantë Presidenti i Republikës i ka kushtuar edhe gjinisë pasi 18 gra kanë fituar lirine. Edhe më parë kryesisht politikanët femra si kryetarja e Kuvendit Topalli dhe ministrja e Integrimit Bregu, i kanë kërkuar presidentit Topi të ushtrojë të drejtën e faljes për gratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›