E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi i bën homazhe regjisorit të mirënjohur të kinematografisë shqiptare, Viktor Gjika.

4 mars 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi nderoi sot me respekt e dhembshuri figurën e kineastit të shquar, regjisorit, skenaristit dhe drejtorit të fotografisë shqiptare, Viktor Gjika.

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u vendos një kurorë me lule në emër të Kreut të shtetit dhe Presidenti Topi, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtori i Kabinetit, bëri homazhe në nderim të regjisorit të mirënjohur, që me përkushtim, dashuri e profesionalizëm, krijoi vepra artistike aq të njohura për të gjithë shqiptarët.

Duke e vlerësuar Viktor Gjikën si një prej figurave më të shquara të kinematografisë shqiptare, Presidenti Topi u shpreh: “Natyrisht është një humbje, në radhë të parë për familjen edhe për artin kinematografik shqiptar. Viktor Gjika, në memorien e të gjithëve do të mbetet një nga figurat më emblematike të kinematografisë shqiptare. Padyshim një artist me një jetë profesionale shumë komplekse dhe jetëgjatë.

Është e natyrshme që njerëzit në një moment do të ndahen nga kjo jetë, por Viktor Gjika është një nga ata, që ka bërë histori. Ai ka qenë një artist shumë kompleks. E filloi si mjeshtër i fotografisë, si operator, pastaj si regjizor, pastaj ai u fut edhe në radhën e skenaristëve, çka do të thotë që është në memorien tonë dhe të të gjithëve brezave. Wshtë një artist, i cili patjetër do të jetë në kujtesën e kombit shqiptar si një artist shumë i formuar. Padiskutim që figura e Gjikës bëhet edhe më memoriale, do të thoja, pikërisht në momentin kur ende ne kemi shumë për të dhënë dhe për të parë si dikur në fushën e kinematografisë.

Unë jam i bindur që shkolla shqiptare gjithmonë do ta ruajë këtë traditë. Ndoshta mund të jetë në vështirësi momentale, por jam i bindur që, si figura e zotit Gjika, por edhe e shumë regjizorëve të tjerë, që kanë punuar në epokën kur punoi dhe jetoi zoti Gjika, do të jenë patjetër pikë referimi për të reformuar dhe për të shkuar përpara edhe me kinematografinë tonë, e cila ka nevojë të rigjallërohet”.

I konsideruar si një nga regjisorët më të mirë shqiptarë, Viktor Gjika ka realizuar një sërë filmash të suksesshëm, si: “Komisari i dritës”, “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Rrugë të bardha”, “Përballimi”, “Njeriu me top”, “Gjeneral Gramafoni”, “Në çdo stinë”, “Nëntori i dytë”, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›