E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi mbështet nismat për zhvillimin e zonave malore të vendit.

19 shtator 2008
Pukë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit, zhvilloi sot paradite një vizitë pune në rrethin e Pukës. Fillimisht, Kreu i shtetit është ndalur në Komunën Gomsiqe, ku është pritur nga Kryetari i kësaj komune, Rrok Dodaj.

Vizita e Presidentit Topi ka vijuar nën një atmosferë festive në qytetin e Pukës, ku u mikprit nga Kryetari i Bashkisë, Rustem Struga, nga Nënprefekti i qytetit, Dedë Përshpali, deputetë të zonës, Rexhep Uka, Sali Shehu, Nard Ndoka, Aleksandër Biberaj, Frrok Gjini, Gjovalin Prenga, Idriz Xhomara, Qemal Minxhozi dhe Flamur Hoxha, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor si dhe nga banorë të qytetit. Në takimin e zhvilluar në ambientet e Bashkisë së Pukës, Presidenti Topi është njohur me problemet kryesore që preokupojnë këtë pjesë veriore të vendit.

Kryetari i shtetit ka qenë i pranishëm në ceremoninë e çeljes së Panairit agro-ushqimor me produkte të zonës duke u përshëndetur nga afër me fermerët, të cilët kishin ekspozuar produktet e tyre karakteristike të zonës duke u interesuar me detaje për punën dhe vështirësitë e tyre.

Presidenti Topi mori pjesë më pas në punimet e Konferencës “Mbi zhvillimin e zonave malore, potencialet dhe perspektivat” e organizuar në Pallatin e Kulturës së qytetit të Pukës, një iniciativë kjo e Forumit të zonave malore dhe grupit të deputetëve të zonave malore. Kryetari i shtetit, duke marrë fjalën, vuri në dukje bukuritë dhe pasuritë natyrore të zonës së Pukës, duke përshëndetur bashkëpunimin e deputetëve të zonave malore të pozitës dhe opozitës, të pranishëm për të lobuar për zhvillimin e zonave malore dhe duke theksuar se është i domosdoshëm promovimi turistik i resurseve dhe prodhimeve të zonës, të cilat janë të pëlqyeshme duke qenë prodhime bio. Presidenti Topi theksoi gjithashtu edhe faktin se rruga Durrës-Kosovë do të hapë perspektiva të reja të tregut rajonal.

Vizita e punës së Presidentit të Republikës në qytetin verior ka përfunduar me takimin me përfaqësuesit e bizneseve të vogla të agro-përpunimit, si dhe me vizitën në Qendrën e Informacionit Bujqësor.

Një moment i këndshëm i kësaj vizite, siç e cilësoi edhe vetë Presidenti Topi ishte dorëzimi prej tij i Certifikatës së Mirënjohjes në emër të organizatorëve të Konferencës së sotme për dy të rinjtë, Mateo Begeja dhe Maringlen Laçi, të cilët ngjitën majën e Malit të Bardhë, në vlerësim të kontributit të tyre në promovimin e alpinizmit shqiptar dhe përfaqësimin dinjitoz në aktivitetet ndërkombëtare.

Presidenti Topi u ndal dhe vizitoi gjithashtu edhe Kishën-Katedrale "Nënë Tereza" në Laç-Vau i Dejës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›