E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË KONFERENCËN “MBI ZHVILLIMIN E ZONAVE MALORE, POTENCIALET DHE PERSPEKTIVAT”.

19 shtator 2008
Pukë

Të nderuar banorë të Pukës,
Të nderuar zotërinj përfaqësues të pushtetit vendor,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar specialistë, shkencëtarë të aplikimit të shkencës së bujqësisë,
I nderuar zoti Marku, i nderuar zoti Uka, miku ynë i vjetër, miku i Pukës, një ndër specialistët dhe shkencëtarët më në zë të Shqipërisë në fushat e aplikimit të bujqësisë dhe agro-industrisë!

Është një kënaqësi e veçantë që unë ndodhem sot në Pukë. Është një kënaqësi, por natyrisht në të njëjtën kohë një detyrim personal, detyrim institucional, por edhe një vlerësim i veçantë për banorët e Pukës, për banorët e kësaj treve, për historinë e kësaj treve, për kulturën e kësaj treve që mesa duket do të ishte ky rasti, kjo konferencë e nderuar, shumë e vlerësuar që të na mblidhte të gjithëve së bashku: përfaqësues të institucioneve qendrore, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, deputetë të mazhorancës dhe të opozitës, të cilët me një iniciativë ndoshta fillimisht në fazë latente interesi, arritën që të institucionalizojnë, që të jenë promotorë të organizimit edhe të kësaj Konference në bashkëpunim me ekspertë të fushës, me përfaqësues të institucioneve të Ministrisë së Bujqësisë, pikërisht për promovimin e politikave zhvillimore të zonave malore. Nuk ka solidaritet më të bukur se sa kur deputetët e zonave malore janë të gjithë së bashku për të diskutuar për perspektivat, padyshim të padiskutueshme pozitive për zonat malore. Secili sjell në memorie kur vijnë tema të tilla kaq të rëndësishme, pikërisht momentet e para të formimit të tij në shkollë, që në shkollën fillore, kur njeriu më shumë se kurrë dëshiron që të njohë vendin e tij, të marrë mësimet e para nga mësuesit dhe besoj një nga elementët më të qenësishëm, më të paharruar, që ka patur gjithsecili prej jush, ka qenë pikërisht njohja e pozicionit gjeografik-fizik të Shqipërisë. Të gjithë kemi në memorie se kur kemi mësuar dhe kemi marrë informacionet e para për vendin tonë, ka qenë që Shqipëria është një vend me tre të katërtat me reliev malor, një vend i mrekullueshëm që natyra dhe Zoti na kanë dhënë. Jemi në mes të Europës, jemi në një gjerësi gjeografike që t’i ofron të gjitha mundësitë, dhe kemi një bregdet të mrekullueshëm, kemi male të mrekullueshme, kemi histori dhe traditë shumë të lashtë dhe kjo natyrisht që na bën shumë krenarë.

Kështu që është rasti sot që t’i kthehem vërtet elementëve kryesorë, që kanë të bëjnë me vend-ndodhjen fiziko-gjeografike, por mbi të gjitha të merremi me politikat zhvillimore që padyshim kanë qenë dhe janë e do të jenë në vëmendjen e të gjithëve, të institucioneve, dhe besoj edhe pse jemi në Pukë, ne sot nuk diskutojmë vetëm për Pukën, por diskutojmë për elementët më të qenësishëm, për të gjitha zonat malore kudo ato ndodhen në veri të Shqipërisë, në jug e në lindje të Shqipërisë dhe me preokupacionin, që të gjithë së bashku të promovojmë politkat për zhvillimin e këtyre zonave, të rinxjerrim nga tradita elementët më të spikatur, më vlerësues, që do të bënte atraktiv jo vetëm turizmin vendor, por edhe promocionin për turistët e huaj që vijnë e vizitojnë Shqipërinë.

Pa dyshim që jemi në një kohë kur aktorët e rëndësishëm publikë qëndrorë dhe lokalë fokusohen më tepër në zhvillimin e zonave urbane, kur këto debate ekspertësh janë për zhvillimin ekonomik me fokus turizmin bregdetar kjo konferencë vjen si një sfidë modeste por e arrirë, aspak e heshtur por me një zë kumbues si një thirrje për tërheqje vëendje për zhvillimin e zonave malore që për vetë konfigurimin demografik të vendit tonë kanë një rëndësi tepër të madhe.

Padyshim që mjaft nga kolegët e mi, qoftë në kushte të tjera, por edhe në kuadrin e kësaj Konference, konstatuan si një element jo shumë pozitiv lëvizjen apo braktisjen e këtyre zonave. Unë nuk do ta konsideroja kështu, sepse jemi në tendenca absolutisht të kohës, ku padyshim falë edhe një sistemi të ri demografik, falë edhe mundësisë për lëvizje demografike, natyrisht që një pjesë e njerëzve kanë shkuar drejt zonave urbane. Dhe kjo është një tendencë natyrale, por nga ana tjetër, edhe pse një pjesë e njerëzve kanë shkuar drejt zonave urbane, ne duhet të kthejmë vëmendjen ndaj njerëzve që punojnë edhe në këto zona, të cilët padyshim duhet të jenë në vëmendje të politikave konkrete të ruajtjes së resurseve të rëndësishme të këtyre zonave. Të gjithë diskutuan për resurset që ka Puka, që kanë zonat e tjera malore, për rëndësinë e madhe të pyjeve dhe resurseve të tjera natyrore, të pasurive nëntokësore, dhe mbi të gjitha të vlerësimit të traditës. Jemi të gjithë, askush nuk është aktor i parëndësishëm, të gjithë janë shumë të rëndësishëm, mbi të gjitha kemi këtu praninë e shumë deputetëve, të cilët në mënyrë shumë të logjikshme kanë ditur të mbajnë raporte qoftë me pushtetin vendor, qoftë me ekspertizën e Ministrisë së Bujqësisë apo me ekspertë të pavarur, sepse aspekti zhvillimor i një zone nuk mund të bëhet në mënyrë amatore, në mënyrë diletante, por duhet të bëhet me një bazament të fortë shkencor. Padyshim të gjithë ne sot e kemi vëmendjen ndaj zonave ku njerëzit besoj do të kenë një fluks të madh turistik sikurse është bregdeti ynë i mrekullueshëm dhe shumë mirë bëhet që ka politika promovuese për bregdetin, por në të njëjtën kohë, sikurse janë ekuilibrat natyrorë që nuk duhet të harrohen, ashtu duhet të jenë edhe ekuilibrat turistikë përsa i përket vëmendjes edhe për zonat malore.

Unë ndoqa panairin sikurse edhe ju, dhe kam kënaqësinë të konstatoj që ka progres dhe ka dëshirë ndoshta diku në mënyrë spontane, diku në mënyrë të orientuar që njerëzit të dalin me prodhimet e tyre. Njerëzit që jetojnë në zonat e mëdha urbane, në qendrat urbane, shpesh herë janë përpara një fakti i cili është shqetësues. Përsa i përket sigurisë ushqimore shpesh herë njerëzit shkojnë drejt ambalazhit, drejt estetikës së ambalazhit, ndërkohë që harrojnë se prodhimet e vërteta bio, prodhimet pa mbetje të pesticideve, prodhime të cilat njeriu ka dëshirë t’i ketë në tryezën e tij janë pikërisht në këto zona. Janë në këto zona ku njerëzit jetojnë, punojnë, prodhojnë, dëshirojnë të dalin në treg dhe natyrisht dalin me vështirësi.

Kështu që është në këndvështrimin modern të kësaj konference që njerëzit që punojnë në këto zona duhet patjetër që të sillen në vëmendje dhe janë eksperienca kombëtare, por janë në radhë të parë eksperienca ndërkombëtare ku elemtenti i promocionit turistik është shumë i rëndësishëm për specifikat që ka zona e tyre malore, por edhe në prodhimet karakterisktike të kësaj zone.

Turizmi malor është padyshim që është turizëm familjar si dhe turizëm për të apasionuarit pas sporteve. Unë mendoj që prania e rëndësishme e mediave këtu sot, unë gjithmonë e kam vlerësuar median dhe besoj se edhe ju të gjithë mendoni që media duhet të jetë e pranishme jo thjesht në ambientet e qendrave të mëdha urbane, por media duhet të jetë e pranishme për të promovuar pikërisht politikat e zhvillimit integral qoftë të bujqësisë, të agrobiznesit, të turizmit e të traditave njerëzore. Unë mendoj që kjo do të shërbejë kështu si element promocioni jo vetëm për turistët e huaj, por është e domosdoshme edhe për njerëzit që jetojnë në qytetet afër, qoftë edhe në qytetet e jugut të Shqipërisë. Meqënëse jemi pikërisht në një qytet verior të Shqipërisë, unë mendoj që sikurse e tha edhe profesor Uka, ka ndryshime dhe ndryshimet, që janë në mënyrë evolutive janë të vështira që njeriu t’i prekë për hir të së vërtetës.

Sot afërsia me qytetet e tjera është natyrisht më pranë. Ne kemi një mundësi shumë të madhe që zonat malore të veriut dikur të harruara, sot dhe nesër do të kenë patjetër një aks të rëndësishëm, që është rruga që po ndërtohet, rruga që do të lidhë jo vetëm zona të harruara të veriut, por patjetër një element shumë të rëndësishëm ky, do të lidhë Durrësin si një element terminal me Prishtinën, me Vardarin, për t’i dhënë një dimension tjetër tregut, qoftë edhe atij turistik. Unë jam i bindur që zonat e veriut do të kenë një zhvillim tjetër, do të jenë shumë afër me njëra-tjetrën, dhe patjetër që të gjithë aktorët e rëndësishëm e politikë, ku në mënyrë të veçantë do të thoja që bashkëpunimi midis pushtetit vendor dhe atij qendror, është substancial. Do të jenë të tilla që çdo qelizë e territorit të vendit tonë kudo që ajo të ndodhet të ketë rëndësinë e saj të madhe. Sot nuk diskutojmë për një treg që ka dy-tre milionë banorë apo katër milionë banorë. Sot diskutojmë për një treg më të madh në një marrëdhënie shumë intensive, të re që do të ekzistojë midis Shqipërisë, Kosovës, dhe të gjithë tregut ballkanik. Tregu ballkanik patjetër që ka mbi 60 milionë banorë. Ai po shikohet me shumë interes edhe nga aktorët e tjerë evropianë kështu, që ne duhet të jemi patjetër të gatshëm për të promovuar këto politika. Unë jam i bindur që kjo konferencë sot, e cila nuk mendoj që është vetëm një element fillestar, sikurse u përdor ndoshta në një sens figurativ, por unë e kuptoj se pse u përdor. Ne jemi pikërisht në fillimet dhe asnjëherë nuk duhet të mendojmë që erdhëm në përfundim të procesit, sepse kërkohet shumë punë dhe përderisa sot ne kërkojmë që të promovojmë zona, të cilat janë lënë disi në planin sekondar, duhet patjetër që të gjithë së bashku, të gjithë aktorët që janë shumë të rëndësishëm të fillojmë me politikat promovuese, me politikat e lobingut në Parlament dhe unë besoj që ky është një element i dukshëm. Janë të gjithë deputetët e zonave malore, mund të jenë dhe të tjerë dhe unë besoj që ky solidaritet duhet të jetë edhe nga të gjithë deputetët e parlamentit. Po diskutojmë për politikat e disa zonave, që kanë pasuri nëntokësore, por kanë edhe shumë pasuri mbi tokë dhe pasuria më e rëndësishme është tradita, jeni ju, njerëzit që vazhdoni të jetoni në këto zona, që i jepni jetë këtyre zonave dhe patjetër që kjo do të jetë në vëmendjen e të gjithë strukturave.

Unë padyshim që nuk dëshiroj të konsumoj edhe shumë kohë, sepse jemi në momentet kur të gjithë janë koshientë që duhen më pak fjalë dhe më shumë vepra. Sikurse thashë, jemi të gjithë të prirur, që duke shkuar për në ato sfida të rëndësishme që po përballon Shqipëria në integrimin në Evropë dhe me fitimin e sigurisë së madhe, duke qenë anëtarë të NATO-s, ne duhet t’i kthejmë sytë në mënyrë të dukshme tek zhvillimi i ekonomisë në çdo pjesë të territorit tonë. Unë dëshiroj edhe njëherë të falenderoj organizatorët e kësaj Konference, të gjithë ata që dhanë kontribtuin e tyre dhe do të jem gjithmonë një aktor aktiv qoftë institucional, qoftë në planin personal, për ta parë Shqipërinë të zhvilluar në çdo pjesë, në çdo metër katror të territorit të saj.

Edhe një herë ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›