E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr pjesë në Manovrën Ushtarake Detare të NATO-s

30 maj 2011
Vlorë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura shqiptare mori pjesë sot në Manovrën Ushtarake Detare, që po zhvillohet në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë dhe më saktësisht, në gjirin e Vlorës. Në këtë stërvitje ushtarake detare, me emrin e koduar “Luani i Albionit” ku janë të përfshira anije britanike dhe holandeze, Presidenti Topi u shoqërua nga Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekuilam, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës Kornelis Van den Dol, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Admirali i Forcave Detare Kudret Çela, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, deputeti dhe anëtari i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes, Ilir Gjoni, atasheu ushtarak britanik, Koloneli Bob Barns, si dhe nga anëtarë të Kabinetit të Presidentit.

Vizita e Presidentit Topi dhe të ftuarve të tjerë në anijen “Mount Bay”, të shoqëruar nga Komodori i Flotës Mbretërore Britanike, Simon Ankona dhe nga Komandanti i Piter Farmer, filloi mbi Urë, duke vazhduar me Dhomën e Operacioneve të Kombinuara, duke zbritur tek bordi i Makinave drejt dokut, me ndalesa në çdo pikë. Gjatë komunikimit me pjesëtarë të bordit të anijes, Presidenti i Republikës është njohur me disa prej detajeve të rëndësishme ushtarake dhe të përgatitjes profesionale të tyre. Kryetari i Shtetit shprehu vlerësim dhe mirënjohje për angazhimin e tyre të lartë, duke theksuar bindjen se bashkëpunime të tilla i shërbejnë rritjes profesionale dhe konsolidimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, të cilat tashmë denjësisht qëndrojnë krahë homologeve të tyre në vendet anëtare të NATO-s.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›