Presidenti Topi niset sot për në Sarajevë për të marrë pjesë në Forumin e 6-të Ekonomik Rajonal për Evropën Juglindore.

19 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi niset sot për në Sarajevë (Bosnje- Hercegovinë) për të marrë pjesë në Forumin e 6-të Ekonomik Rajonal për Evropën Juglindore, që do të mbahet në datat 19-20 nëntor 2009. Në këtë veprimtari, Kryetari i Shtetit shoqërohet nga një delegacion zyrtar i përbërë edhe nga ekspertë të ekonomisë.
Të pranishëm në Forumin e 6-të Ekonomik Rajonal për Evropën Juglindore, që organizohet nga Kryetari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljko Komshiç, do të jenë edhe Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Georgi Parvanov, Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiç, Presidenti i Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, Presidenti i Republikës së Rumanisë, Trajan Basesku, Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Danilo Tyrk dhe Presidenti i Republikës së Serbisë, Boris Tadiç. Diskutimet e pjesëmarrësve në këtë Forum do të përqendrohen tek aftësitë ekonomike konkurruese të vendeve të rajonit. Në përfundim të tyre, Presidentët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.