Presidenti Topi takohet me Presidentin e Forumit Ekonomik Rajonal të Evropës Juglindore, Marin Ivanisheviç.

19 nëntor 2009
Sarajevë
Në ditën e parë të pjesëmarrjes në Forumin e 6-të Ekonomik Rajonal të vendeve të Evropës Juglindore, që po zhvillohet në kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës, në Sarajevë, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi një takim pune me Presidentin dhe koordinatorin e këtij Forumi, zotin Marin Ivanisheviç.
Kreu i shtetit pasi vuri në dukje rëndësinë e veçantë të takimit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, që tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme, rikonfirmoi dëshirën që vitin e ardhshëm ky aktivitet të zhvillohet në Shqipëri.
Presidenti Topi pasi nënvizoi domosdoshmërinë e organizimit dhe mbajtjes së forumeve të tilla jo vetëm në kuadër të bashkëpunimit rajonal, por duke patur parasysh edhe efektet e krizës financiare globale, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha vendeve të Ballkanit në sektorë jetikë të ekonomisë.
Nga ana e tij, Presidenti i Forumit Ekonomik Rajonal të vendeve të Evropës Juglindore, Marin Ivanisheviç, i cili është edhe moderatori i punimeve të ditës së nesërme, ndau të njëjtat pikëpamje me Presidentin Topi përsa u përket rritjes dhe konsolidimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal.