E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet Programin Festiv “Profeti Muhamed - Krenaria e Njerëzimit”, organizim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. &nbs

18 prill 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori pjesë sot në Koncertin Festiv “Profeti Muhamed - Krenaria e Njerëzimit”, - një veprimtari artistike e organizuar me rastin e ditëlindjes së Profetit, - me ftesë të Komunitetit Musliman të Shqipërisë. Në këtë veprimtari festive të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, Kryetari i Shtetit u prit dhe u shoqërua nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Ing. Selim Muça, i cili gjatë fjalës së tij i uroi Presidentit Topi mirëseardhjen dhe falenderoi për praninë e tij në këtë ngjarje të posaçme në jetën e komunitetit dhe besimtarëve myslimanë në Shqipëri.

Të pranishmëve në këtë veprimtari, Presidenti i Republikës iu drejtua me një fjalë përshëndetëse në të cilën u shpreh:

“I nderuar Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça,
E nderuar Zonja Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar ministra dhe deputetët,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të nderuar Kryetarë të Komuniteteve fetare,
Të nderuar pjesëmarrës,
zonja e zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë që marr pjesë sot në këtë program festiv të organizuar nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë, dedikuar kremtimit të ditëlindjes së Profetit Muhamed.

Kjo ceremoni festive, që tashmë është shndërruar në një traditë, rrezaton vlera të ndjenjave të besimit dhe shpresës, të dashurisë dhe vëllazërimit, të paqes dhe mirëkuptimit, të bashkëjëtesës dhe harmonisë ndërfetare.

Shqiptarët në vite, u mësuan të respektojnë besimin, ritet, kujtesën, festat dhe institucionet fetare të njëri tjetrit, duke i konsideruar ato trashëgimi të përbashkëta. Prandaj sot jam i bindur që të gjithë shqiptarët, urojnë pa dallim besimtarët myslimanë për këtë ditë të gëzuar të përkujtimit të lindjes së lajmëtarit të fjalës së Zotit.

Janë pikërisht këto vlera unikale shpirtërore të tolerancës dhe harmonisë ndërfetare që e karakterizojnë kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare, për të cilat ne jemi krenarë.

Besimi i vërtetë nuk i ndan njerëzit, por i bashkon ata, qoftë edhe duke pranuar ndryshimet, sepse liria e besimit dhe e ushtrimit të fesë është pasuri për të gjithë, është garanci themelore për çdo formë apo shprehje të lirisë në kuptimin më të gjerë të saj.

Në kulturën dhe qytetërimin e kombeve, feja dhe Institucionet e saj kanë luajtur rolin e tyre të rëndësishëm.Edhe ne vendin tonë gjatë rrjedhave historike, myslimanët shqiptarë së bashku me besimtarët e besimeve të tjera, janë bashkuar me zërin e kombit dhe të shqiptarit duke e bashkuar shpirtërisht atë. Ndërtuan bazat e qëndrueshme të bashkëjëtesës dhe marrëdhënieve të mirëkuptimit dhe harmonisë ndërfetare, duke qënë zëdhënësit shpirtërore të edukatës, të ndërgjegjes dhe të sentencave hyjnore.

Tradita islame në Shqipëri është edhe traditë e respektit dhe dashurisë ndaj tjetrit, ndaj vendit, ndaj kujtdo që dëshiron paqen e mirësinë dhe kjo traditë duhet t’i përcillet të ardhmes duke u përpunuar në institucione arsimore fetare kombëtare në bashkëpunim të plotë me shtetin shqiptar.

Në literaturën botërore dhe vecanërisht në trashëgiminë e vyer të besimit islam një vend i rëndësishëm i dedikohet jetës dhe veprës së Profetit Muhamed, personaliteti i të cilit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit dhe atë të besimeve fetare.

Dashuria dhe respekti njerëzor dhe motivimi ndaj kërkimit të diturisë dhe mendimit të arsyeshëm, janë tregues që dëshmojë se personaliteti i tij ka pasur një integritet dhe karakter të nivelit të lartë njerëzor. Veprat, mendimet dhe thëniet e kumtuara prej tij përfaqësojnë një sistem vlerash morale që vazhdojnë të formojnë dhe mbrojnë mendjet dhe shpirtrat e anëtarëve të bashkësisë myslimane që janë në kërkim të përsosjes shpirtërore.

Myslimanët shqiptarë ashtu si dhe në mbarë botën islame, kremtojnë sot në këtë ceremoni festive ditëlindjen e këtij Profeti.
Më lejoni që në këto çaste të ndaj me ju këto ndjenja nderimi dhe respekti ndaj kësaj figure madhore të historisë së njerëzimit.

Të nderuar pjesëmarrës, zonja dhe zotërinj!

Kultura e bashkëjetesës, tolerancës dhe harmonisë ndërfetare, vlerësohet edhe si një tipar etnotipik i shqiptarëve; ata jo vetëm që nuk kanë njohur përcarje fetare, por përkundrazi ndonëse edhe në kushte tepër të rënda të pushtimit gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë shfaqur një qëndrim të pashembullt në mbrojtje të hebrenjve. Shqipëria është vendi i vetëm në botë, ku asnjë hebre nuk u dorëzua dhe nuk u viktimizua.

Le të hedhim gjithashtu së bashku, një vështrim historik retrospektiv në periudhën e errët 50-vjeçare të vuajtjeve të përbashkëta e indoktrinimit të gjithanshëm ateist, në të cilën persekutimi psikologjik i sofistikuar, si dhe fushata frontale dhe komplekse kundër fesë, klerit e institucioneve fetare, ndonëse lanë gjurmë në formimin moral të grupmoshave të ndryshme, nuk mundën ta ç’rrënjosin kurrë besimin në Zotin, sepse tradita jonë e besimit, vlerat dhe idetë mundën të mbijetonin falë përpjekjesh të mëdha, në kushtet e mohimit total të besimit dhe të institucioneve fetare.

Me ardhjen e demokracisë, në Shqipëri u rivendosën të drejtat dhe liritë e besimit dhe në këtë realitet të ri komunitetet fetare kanë ruajtur dhe zhvilluar trashëgiminë e tyre që ka shumë vlera të përbashkëta, të cilat kanë shërbyer si baza e vërtetë e respektit të ndërsjelltë, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës në të gjithë Shqipërinë.

Këto komunitete janë angazhuar së bashku, që nën dritën e parimeve hyjnore, të ofrojnë kontributet e tyre të edukimit shpirtëror, që të kemi një shoqëri ku të gjjithë të kenë mundësinë për të jetuar në paqe, dashuri dhe harmoni, në të cilën të mbizotërojë drejtësia e barazia sociale dhe të garantohet progresi shoqëror. Pasi vetëm një shoqëri e shëndoshë shpirtërisht, di të përballojë sakrificat, di të ndërtojë shpresat, di të projektojë të ardhmen.

Të nderuar pjesëmarrës!

Trashëgimia e besimeve fetare në vendin tonë, ku spikat bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare, simbolizon aleancën e vlerave etike, morale dhe shpirtërore në shërbim të qytetarëve dhe shoqërisë shqiptare të cilën ne e inkurajojmë dhe e mbështesim. Ajo përbën njëkohësisht një model të suksesshëm përfaqësimi vlerash në arenën ndërkombëtare. E prandaj kemi arsye të ndihemi krenarë se harmonia fetare e cila karakterizon kombin tonë, pasuron natyrshëm trashëgiminë kulturore e shpirtërore të Evropës, pjesë e së cilës jemi, komunitetit politik të cilit po i afrohemi me hapa të vendosur. Kjo harmoni është mesazhi më i lartë i miqësisë e mirëkuptimit që vendi ynë i dërgon familjes në të cilën po integrohemi dhe popujve evropianë.

Tashmë me antarësimin e vendit tonë në Aleancën e Atlantikut te Veriut dhe së afërmi në Bashkimin Evropian, vendi ynë me këtë traditë vlerash unikale, integrohet në aleancën globale të civilizimeve dhe të botës së qytetëruar.

Zoti e bekoftë Shqipërinë në rrugën drejt zhvillimit dhe prosperitetit tonë kombëtar!

Ju faleminderit"!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›