E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet punimet e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara

9 maj 2011
Stamboll, Turqi

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot në punimet e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, e cila po mbahet në Stamboll, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Turqisë, Abdullah Gyl, duke vlerësuar dhe përkrahur rolin aktiv të OKB-së dhe të shteteve të konsoliduara në përmbushjen e objektivave për prosperitet të qëndrueshëm të vendeve më pak të zhvilluara, gjatë dekadës së fundit.

Në fjalën e tij me këtë rast, Kreu i Shtetit shqiptar pasi shprehu fillimisht vlerësimet për vendin pritës, Turqinë, për mundësimin e realizimit të Konferencës, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun për angazhimin e tij të plotë dhe përpjekjet e palodhura e të pandërprera në drejtim të avancimit të zhvillimit të vendeve më pak të zhvilluara, u shpreh se “Shqipëria nuk është pjesë e grupit të vendeve më pak të zhvilluara, por, ka probleme të ngjashme me këtë grup vendesh. Vendi im ka përkrahur dhe përkrah të gjitha veprimet dhe nismat e Kombeve të Bashkuara, të cilat kërkojnë zhvillimin e qëndrueshëm, prosperitetin dhe mbështetjen e përpjekjeve të vendeve më pak të zhvilluara drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Ne jemi të inkurajuar nga progresi i arritur, në disa fusha të zhvillimit, nga këto vende, në drejtim të përmbushjes së qëllimeve dhe angazhimeve të pranuara ndërkombëtarisht.”

Duke folur për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të vendeve më pak të zhvilluara në procesin ndërkombëtar të vendim-marrjes, Presidenti Topi vuri në dukje se Shqipëria “mbështet të gjitha nismat e komunitetit ndërkombëtar në drejtim të mobilizimit të burimeve financiare, të cilat të përkthyera në projekte zhvillimi nga secili vend, duhet të integrojnë veprimet kombëtare për të trajtuar varfërinë, ushqimin, krizën globale financiare dhe ndryshimin e klimës në mënyrë të ndërlidhur”.

Gjithashtu, duke nënvizuar rolin e të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, Kryetari i Shtetit shqiptar theksoi se “Organizata e Kombeve të Bashkuara, si depozituese e pothuajse të gjitha çështjeve madhore më të cilat përballet njerëzimi, mbart njëkohësisht edhe detyrimin për të gjetur dhe dhënë zgjidhje në përputhje me pritshmërinë gjithnjë e më të lartë. Shqipëria shpreson në angazhimin më efektiv të OKB-së, në mbështetje të vendeve më pak të zhvilluara”.

“Klima dhe energjia, - vijoi më tej në fjalën e tij Presidenti Topi, - janë midis çështjeve më të mëdha të kohës sonë. Ato duhet të qëndrojnë në krye të agjendës sonë ndërkombëtare. Shqipëria e konsideron mjedisin si një çështje vitale dhe është e angazhuar plotësisht të plotësojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare. Sfida energjetike e Shqipërisë lidhet ngushtësisht me rritjen e ekonomisë, rritjen e popullsisë, ngritjen e standardit të jetesës dhe plotësimin e aspiratës sonë drejt integrimit në familjen evropiane. Për përballimin e këtyre sfidave, në vendin tim janë ndërmarrë një sërë masash, si rritja e eficencës së energjisë, riparimi dhe modernizimi i infrastrukturës energjetike, rritja e burimeve energjetike, duke ruajtur dhe përmirësuar mjedisin, të cilat qëndrojnë në bazën e programit për zhvillimin e vendit. Kështu, një nga objektivat tona është rritja e burimeve energjetike, kryesisht ato të rinovueshme”.

Ndërsa duke u ndalur në progresin e dukshëm të Shqipërisë në drejtim të plotësimit të Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM-ve), Presidenti Topi e vuri theksin tek fakti që “lufta kundër varfërisë, analfabetizmit, mortalitetit të fëmijëve, ndryshimit të klimës dhe përmirësimit të shëndetit të popullsisë mbeten prioritete të shtetit tonë” dhe se Shqipëria po vazhdon të punojë “për konsolidimin e shtetit të së drejtës, nxitjen e transparencës së vendim marrjes dhe rritjen e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve tanë”, ndërkohë që do të përbëjnë prioritete të shtetit shqiptar në vitet e ardhshme “lufta ndaj fenomenit të korrupsionit dhe faktorëve që e ushqejnë atë, nxitja e konkurrencës së lirë në ekonomi”.

Në fund të fjalës së tij, gjatë punimeve të Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, Kryetari i Shtetit shqiptar, u ndal tek sfidat me të cilat përballet sot Republika e re e Kosovës. “Miratimi i rezolutës konsensuale në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës sonë, që mirëpriti mendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së saj, - u shpreh Presidenti Topi, - e mbylli përfundimisht çështjen e statusit dhe integritetit të saj territorial. Ndaj, tani është koha që kjo Republikë e re të përkrahet, mbështetet dhe inkurajohet drejt rrugës së saj të zhvillimit.” “Me këtë rast, - vijoi më tej Presidenti shqiptar, dëshiroj t’u bëj një thirrje të hapur të gjithë atyre vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës për ta njohur atë. Sot, Kosova është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 75 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara. Ne besojmë se realiteti i ri i krijuar në Ballkanin Perëndimor, me shtetin e pavarur të Kosovës, ka ndikuar pozitivisht në forcimin e paqes dhe sigurisë në këtë rajon, si edhe në krijimin e një fryme bashkëpunimi e prosperiteti, jo vetëm për Ballkanin, por edhe më gjerë”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›