E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi voton duke apeluar për pjesëmarrje sa më masive në zgjedhjet vendore

8 maj 2011

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe dy vajzat, Nada dhe Etida Topi, votoi sot paradite në qendrën e votimit tek Shkolla 9- vjeçare “Servete Maçi”, në Njësinë Bashkiake Nr. 9 të kryeqytetit për zgjedhjet vendore të kryetarëve dhe këshilltarëve të bashkive e komunave të vendit.

Pas kryerjes së procesit të votimit, Presidenti Topi iu përgjigj interesimit të mediave:

Gazetarja: Zoti Topi, si ju duket votimi në ditën e sotme?

Presidenti Topi: “Po gjithmonë, emocion i veçantë. Unë e kam thënë edhe herë tjetër, është emiocion i dyfishtë për mua, sepse vij në shkollën ku kam kaluar fëmijërinë time dhe është shumë interesante të votoj pikërisht aty ku unë kam bërë klasën e parë. E dyta, është ditë e veçantë, sepse votojmë, votojmë për progresin e demokracisë në Shqipëri, dhe natyrisht apelet e mia kanë qenë të vazhdueshme. Dëshiroj ta jap edhe në këtë ditë. Është një ditë e bukur, ditë pranvere, që vetvetiu të jep optimizëm. Dëshiroj t’u them të gjithë bashkëqytetarëve të mi, të gjithë bashkatdhetarëve, ta shfrytëzojnë këtë ditë. Është dita e tyre, kanë një votë, atë votë ta japin atje ku ata mendojnë, sepse duke votuar sot, sigurisht që votojnë për dinjitetin e tyre, për prestigjin e tyre. Unë dëshiroj që apelin e ditës së sotme ta jap për një pjesëmarrje masive në votime, dhe e dyta, për të gjithë komisionerët, dhe besoj forcat e rendit do të sigurojnë qetësi gjatë gjithë ditës. Dhe unë parashikoj që do të jetë një ditë e qetë, një ditë e qetë dhe natyrisht ju uroj dhe juve sukses, juve të medias, sepse do të keni një ditë impenjative.
Urimet më të mira!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›