E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Drejtoren e Drejtorisë së Këshillit Politik dhe Bashkëpunimit në Këshillin e Evropës, Klaudia Luçiani

12 maj 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Drejtoren e Drejtorisë së Këshillit Politik dhe Bashkëpunimit në Këshillin e Evropës, Klaudia Luçiani, e cila shoqërohej nga Shefi i ri i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marko Lajdeker, me rastin e marrjes së detyrës në vendin tonë.

Duke u uruar mirëseardhjen në Shqipëri dhe suksese në detyrën e re zotit Lajdeker, Presidenti Topi vlerësoi si shumë të çmuar rolin dhe kontributin e Këshillit të Evropës në Shqipëri në konsolidimin e institucioneve shtetërore, forcimin e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë parlamentare, si dhe në respektimin e mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për “mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme dhe aq të nevojshme që kjo organizatë e rëndësishme politike i ka dhënë e vazhdon t’i japë vendit tonë, jo vetëm në kapërcimin e shumë vështirësive, por edhe në realizimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë për të përmbushur kriteret e kërkuara për anëtarësim në familjen e madhe evropiane.”

Kryetari i Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë e funksionit të Këshillit të Evropës, ku Shqipëria është anëtare që nga vitit 1995, e siguroi zotin Lajdeker për mbështetjen e Institucionit të Presidentit në përmbushjen me sukses të misionit të tij në vendin tonë, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm për çështje parësore për zhvillimin dhe progresin e mëtejshëm demokratik të Shqipërisë dhe të shoqërisë shqiptare.

Më tej, Presidenti Topi përshkroi ecurinë e zgjedhjeve vendore të 8 majit, veçanërisht të situatës paszgjedhore, si dhe u ndal në rëndësinë e përmbylljes sa më shpejt dhe sipas standardeve demokratike, korrekte e transparente të procesit të numërimit të votave.

Nga ana e tyre, Drejtorja e Drejtorisë së Këshillit Politik dhe Bashkëpunimit në Këshillin e Evropës, Klaudia Luçiani si dhe Shefi i ri i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marko Lajdeker, pasi e falenderuan Presidentin Topi për pritjen dhe mbështetjen e shprehur, vlerësuan kontributin e efektshëm të Presidentit Topi për ekuilibrimin e jetës politike dhe bashkëpunimin e frytshëm me institucionet shtetërore. Në këtë drejtim, zonja Luçiani e siguroi Kreun e Shtetit se Këshilli i Evropës dhe veçanërisht zoti Lajdeker së bashku me stafin që ai do të drejtojë, do të punojnë pa u kursyer në drejtim të konsolidimit të demokracisë, të përmirësimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor elektoral, bashkëpunimit transparent, profesional dhe efektiv me institucionet shqiptare në kuadër të përmbushjes së standardeve të duhura integruese për në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›