E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Senatit të Kanadasë, Noël Kinsella.

12 tetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Kryetarin e Senatit të Kanadasë, Noël Kinsella dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Gjatë bisedës, Presidenti Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë, të cilat vijojnë të zhvillohen në një kuadër miqësor dhe partneriteti të ngushtë, duke shtuar se dhe kjo vizitë e z. Kinsella dhe e delegacionit shoqërues tepër të pasur me përvojë parlamentare, është një dëshmi e kësaj.

Kryetari i Shtetit e njohu z. Kinsella me disa prej zhvillimeve më të rëndësishme në Shqipëri në aspektin politik, ekonomik, atë infrastrukturor, etj., duke u ndalur në mënyrë të posaçme në ecurinë e realizimit të reformave të gjithanshme në vend ku një vend të rëndësishëm zë ajo në gjyqësor për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Presidenti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qenësishme të Kanadasë për integrimin e Shqipërisë në NATO si një ndër vendet e para që ratifikoi protokollin e pranimit në Aleancën e Atlantikut, ndërkohë që ritheksoi vullnetin dhe angazhimin maksimal të shtetit shqiptar për integrimin e plotë të vendit në familjen e madhe evropiane.

Në këtë takim, në mënyrë të veçantë Presidenti Topi u përqendrua tek niveli i bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike, i cili paraqitet i kënaqshëm dhe me një tendencë rritjeje pozitive. Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit ftoi investitorët dhe bizneset kanadeze për investime të mëtejshme në Shqipëri, duke vënë në dukje se për këtë tek ne ekziston baza e nevojshme ligjore dhe klima shumë e përshtatshme. Presidenti Topi vuri në dukje edhe rolin e rëndësishëm të bashkësisë shumë të kualifikuar shqiptare në Kanada, e cila shërben si urë lidhëse në rritjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e komunikimit.

Nga ana e tij zoti Kinsella, pasi e falenderoi Presidentin Topi për mikpritjen, vlerësoi përparimin e jashtëzakonshëm të shënuar nga Shqipëria gjatë viteveve të fundit, duke theksuar se pas suksesit të arritur nga vendi ynë me futjen në NATO, “ne jemi jo vetëm dy vende miq, por edhe aleatë tashmë”.

Kryetari i Senatit kanadez dhe anëtarët e delegacionit shoqërues vunë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve si dhe shkëmbimin reciprok në të mirën e përbashkët të përvojave të ndryshme parlamentare për rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të demokracisë dhe institucioneve demokratike.

Zoti Kinsella, pasi shpjegoi disa nga projektet dhe qëllimet e kësaj vizite të rëndësishme në kuadrin e bashkëpunimit parlamentar dhe jo vetëm, si në fushën e parlamentarizmit, të ligjeve, të arsimit, etj, theksoi se dëshmia e tij dhe ajo e kolegëve parlamentarë kanadezë: “është një shprehje e qartë e vullnetit të Parlamentit dhe qeverisë kanadeze për ta mbështetur vendin mik, Shqipërinë, në rrugën e saj të mëtejshme të integrimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›