E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministrat e kabinetit qeveritar të Kosovës.

23 shkurt 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave Ministrat e kabinetit qeveritar të Kosovës, z. Fatmir Limaj, Ministër i Transportit dhe i Postë-Telekomunikacionit, z. Ahmet Shala, Ministër i Ekonomisë dhe i Financave, z. Lutfi Zharku, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe z. Sadri Ferati, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Gjatë bisedës së zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, Kryetari i Shtetit shprehu edhe një herë urimet më të mira për Kosovën dhe popullin e saj me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë. Presidenti Topi vlerësoi se prej nga 17 shkurti i vitit të shkuar, ashtu si dhe më parë, klasa politike kosovare dhe qytetarët kosovarë kanë dëshmuar rast pas rasti maturi, përgjegjshmëri të lartë dhe ndërgjegjësim maksimal për sfidat më thelbësore për konsolidimin e shtetit dhe të institucioneve demokratike, si dhe për zhvillimin e mbarë dhe të vazhdueshëm, sidomos në aspektin ekonomik.

Në vijim, bashkëbiseduesit u ndalën në trajtimin e disa aspekteve të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. U vunë në dukje mundësitë e mëdha, që ekzistojnë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, si në atë ekonomike, të infrastrukturës, të shkencës dhe arsimit. Në mënyrë të veçantë u shpreh angazhimi i palëve për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, si një arterie kyçe dhe një investim i jashtëzakonshëm në ecurinë e mëtejshme dhe të suksesshme të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe realizimin e projekteve të rëndësishme të përbashkëta ekonomike.

Gjithashtu në këtë takim, bashkëfolësit kujtuan dhe një herë momentet më të rëndësishme të vizitës së Presidentit Topi në Kosovë në janar të këtij viti, e cila u vlerësua dhe një herë nga Ministrat e pranishëm në takimin me Kryetarin e Shtetit shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›