E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Ministrin e Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, Jang Jieçi

4 gusht 2011

Presidenti i Republikës, Prof.Dr. Bamir Topi priti sot në mesditë Ministrin e Republikës Popullore të Kinës, Jang Jieçi dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Kryetari i Shtetit shqiptar i uroi mirëseardhjen zotit Jieçi duke nënvizuar faktin se kjo vizitë e nivelit të lartë është një tjetër tregues domethënës i marrëdhënieve tradicionale dhe bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë mes Shqipërisë e Kinës. Presidenti Topi shprehu besimin se këto marrëdhënie shumë të mira reciproke dhe bashkëpunimi ndërshtetëror mes dy vendeve tona do të forcohen edhe më tej në të ardhmen duke vënë në dukje se për këtë ekziston një klimë shumë e mirë dhe vullnet e angazhim konkret mes të dyja palëve.

Presidenti Topi, në këtë drejtim, vlerësoi faktin se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona ka qenë në nivele të kënaqshme dhe se Republika Popullore e Kinës është një ndër partneret kryesore tregtare të Shqipërisë. Kreu i Shtetit theksoi se kompanitë kineze janë të mirëpritura për të investuar në energjitikë, infrastrukturë hekurudhore, ndërtimin e parqeve industriale, në turizëm, etj.

Presidenti Topi, duke folur për situatën e rë gjeopolitike në rajonin tonë, pas krijimit të shtetit të ri të pavaruar, demokratik e multietnik të Kosovës, vlerësoi rolin konstruktiv dhe stabilizues të faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit dhe shprehu bindjen se e ardhmja e përbashkët e popujve të tij është integrimi pa përjashtim në strukturat euro-atlantike dhe në familjen e madhe evropiane.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm kinez, Jang Jieçi shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim me Presidentin Topi duke i transmetuar atij përshëndetjet e ngrohta të Presidentit kinez, Hu Xhintao. Zoti Jieçi vlerësoi përparimin dhe arritjet ekonomike të Shqipërisë, duke shprehur njëkohësisht edhe mirënjohjen e qeverisë dhe popullit kinez për kontributin historik dhe mbështetjen e dhënë nga vendi ynë në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë pikë Presidenti Topi dhe Ministri Jieçi ndanë të njëjtën mendim përsa u përket marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësisë tradicionale mëse gjashtëdhjetëvjeçare mes dy vendeve dhe popujve tanë, e cila është forcuar akoma edhe më shumë gjatë gjatë viteve të fundit.

Kreu i shtetit shqiptar i përcolli Presidentit kinez Hu Xhintao përshëndetjet më të përzemërta nëpërmjet Ministrit të Jashtëm, Jian Jieçi së bashku me ftesën për të vizituar në një kohë të përshtatshme vendin tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›