E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan.

25 qershor 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan, dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.

Gjatë takimit, Presidenti Topi vlerësoi pozitivisht klimën e dialogut politik që ekziston midis dy vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, si dhe shprehu dëshirën për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Duke vlerësuar shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë, Presidenti Topi shprehu besimin se këto takime do të kontibuojnë në nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm, kryesisht në sektorin ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së investimeve.

Në këtë kuadër, Kreu i shtetit vlerësoi kontributin e çmuar të Emirateve të Bashkuara Arabe në financimin e plotë të ndërtimit të aeroportit të Kukësit, si dhe nënvizoi interesin për të mirëpritur investime të tjera nga Emiratet e Bashkuara, nga kompani e firma të fuqishme, kryesisht në sektorin energjetik, në infrastrukturë siç është ndërtimi i rrugës së rëndësishme Tiranë-Elbasan dhe në organizimin e panaireve të përbashkëta tregtare.

Gjithashtu, Presidenti Topi vlerësoi veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe për çështjen e Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj, si vendi i parë i Gjirit që hodhi këtë hap të rëndësishëm, si dhe rolin aktiv në Organizatën e Konferencës Islamike dhe bashkëpunimin me delegacionin tonë për miratimin e Rezolutës “Për situatën në Kosovë”, të miratuar pak kohë më parë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme.

Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan falënderoi Presidentin Topi për pritjen e përzemërt dhe shprehu besimin në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona me synim vijueshmërinë e bashkëpunimit të ndërsjelltë në mjaft fusha të rëndësishme. Sheik Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan, pasi e ftoi Presidentin Topi për një vizitë së afërmi në Emiratet e Bashkuara Arabe, - ftesë që u pranua me shumë kënaqësi, - e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar për bashkëpunimin e mëtejshëm në drejtim të rritjes së numrit të shteteve që do të njohin pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›