E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret një përfaqësi të minatorëve të Bulqizës dhe Lëvizjes “Mjaft”.

3 shtator 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në mesditë një përfaqësi të Sindikatës së Pavarur të minatorëve të Bulqizës, të Konfederatës së Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe të Lëvizjes “Mjaft”.

Duke e falenderuar për gatishmërinë për t’i dëgjuar, ata i kanë paraqitur Presidentit Topi problemet, më të cilat përballen punonjësit në minierën e Bulqizës dhe e informuan për situatën e rënduar në këtë minierë, që solli edhe humbjen e jetës së katër minatoreve. Të pranishmit në këtë takim, i kërkuan Kryetarit të Shtetit që të ndërhyjë pranë autoriteteve shtetërore për të marrë vëmendjen e duhur për çështjet që lidhen me sigurinë e jetës së tyre, me pagat dhe mënyrën e funksionimit të administratës së minierës.

Presidenti Topi vuri në dukje se ka ndjekur me kujdes situatën, duke përcjellë me keqardhje e shqetësim humbjet e jetëve njerëzore, një tragjedi kjo, e cila, përpara se të jetë shoqërore, është familjare e njerëzore. Kryetari i Shtetit i bëri me dije bashkëbisuesit se çështja e minatorëve të Bulqizës ka qenë objekt i një bisede që Presidenti Topi zhvilloi me Kryeministrin Berisha, gjatë së cilës është ndarë shqetësimi i përbashkët. Duke i siguruar se do mbetet i vëmendshëm ndaj problemeve të tyre, Presidenti Topi i sugjeroi përfaqësisë së minatorëve që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët ligjore e institucionale për kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, Presidenti bëri të ditur se nëpërmjet strukturave të tij do të nxisë vendosjen e urave të komunikimit institucional aty ku ato mungojnë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›