E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pritet nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski

19 prill 2012
Shkup

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar, zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Kuvendit maqedonas, Trajko Veljanoski, në mjediset e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Shkup.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeparlamentari maqedonas shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi të rëndësishëm, duke shprehur njëkohësisht konsideratat më të larta për rolin e Kreut të Shtetit shqiptar si dhe duke e “quajtur këtë vizitë një stimul të mëtejshëm në zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve tona”.

Presidenti Topi nga ana e tij, vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke theksuar vullnetin dhe angazhimin e Shqipërisë për thellimin e tyre të mëtejshëm në fusha me interes të ndërsjellë, ku “vlen për t’u përshëndetur bashkëpunimi i frytshëm ndërparlamentar, miratimi i marrëveshjeve me interes të përbashkët, përafrimi i legjislaturës me atë evropiane si dhe shkëmbimi i përvojës pozitive integruese”.

Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit shqiptar dhe zoti Veljanoski vunë në dukje nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit reciprok, për të plotësuar e përmbushur me sukses të gjitha kriteret integruese për në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar si të një rëndësie të veçantë në këtë drejtim bashkëpunimin ndërparlamentar, për të cilin, Presidenti Topi shprehu interesin për zgjerimin dhe konsolidimin e tij në të ardhmen në planin dypalësh, sidomos përsa u përket komisioneve specifike parlamentar. Kryeparlamentari maqedonas Veljanoski shprehu gatishmërinë e Maqedonisë për të ndarë me institucionet shqiptare përvojën integruese evropiane, ndërsa Presidenti Topi theksoi vullnetin e Shqipërisë dhe institucioneve të saj për të ofruar mbështetjen e palëkundur dhe përvojën në drejtim të integrimit të Maqedonisë në NATO.

Duke folur për paqen dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit, Kryetari i Shtetit dhe Kryeparlamentari Veljanoski u shprehën optimistë për perspektivat e sigurta të vendeve tona, dhe vunë në dukje se tashmë, të gjitha vendet e rajonit ballkanik janë projektuar qartë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›