E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me ish-presidentin maqedonas, Branko Cervenkovski

19 prill 2012
Shkup

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot në mesditë një takim të veçantë edhe me ish-presidentin maqedonas dhe njëkohësisht Kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Branko Cervenkovski.

Presidenti Topi dhe ish-presidenti maqedonas Cervenkovski diskutuan për çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe siç është niveli shumë i mirë i dialogut dhe bashkëpunimit politik, duke vënë në dukje nevojën për zgjerimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ekonomiko-tregtare mes dy vendeve tona fqinje. Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje nevojën e një klime dhe bashkëpunimi të frytshëm mes gjithë forcave dhe faktorëve politikë në Maqedoni në shërbim të paqes sociale, begatisë dhe integrimit në strukturat euro-atlantike. Të dy personalitetet e larta ndanë të njëjtën pikëpamje lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në interes të harmonisë dhe qëndrueshmërisë në Maqedoni.

Në drejtim të së ardhmes së përbashkët të të dyja vendeve tona dhe të mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor, Presidenti Topi theksoi qëndrimin dhe mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë për Republikën e Maqedonisë në përpjekjet e saj për anëtarësim në gjirin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Nga ana e tij, ish-presidenti maqedonas dhe Kryetari i LSDM-së, Branko Cervenkovski, pasi vlerësoi si shumë të rëndësishme vizitën e Kreut të Shtetit shqiptar për forcimin e marrëdhënieve dhe të dialogut politik, bëri një përshkrim të situatës politike dhe shoqërore në Maqedoni duke e njohur Presidentin Topi me zhvillimet më të fundit në vendin fqinj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›