Presidenti Topi takon sot Lohan e Montobio
TIRANE- Presidenti i Republikës do të takojë sot ne mesdite ambasadorin e Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan dhe ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio në Presidencë. Në vijim të takimeve të tyre, dy ambasadorët e BE-së pritet të informojnë edhe kreun e shtetit në lidhje me prioritetet e presidencës së BE-së, e cila tashmë do të kryesohet nga Spanja. Nuk përjashtohet nga tema e bisedës edhe situata më e fundit pas përmbytjeve në Shkodër, por edhe situata politike kur opozita ende nuk ka zënë vendet në parlament. Ambasadorët kanë takuar së fundmi edhe kryetarin e PS-së, Edi Rama, ku gjithashtu është diskutuar për bojkotin, por asgjë nuk është deklaruar nga përfaqësuesit e BE-së. Vetëm se në fund të takimit, ambasadori spanjoll tha se “Këshilli i Europës është shprehur se mënyra për të mbrojtur pozicionet është përmes dialogut politik konstruktiv nga të gjitha palët e interesuara, nga ana e autoriteteve dhe nga partitë. Kështu është shprehur Këshilli i Europës. Dhe unë përfaqësoj Këshillin e Europës, Bashkimin Europian”, - u shpreh Montobio.Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan në një intervistë për radion “Dojçe Velle” deklaroi dje se “çdo debat politik i takon klasës politike të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj, dhe jo BE-së” Lohan është pyetur në lidhje me seancën parlamentare ku opozita përsëri nuk mori pjesë. Ai sqaroi vetëm se “Bashkimi Europian tani po ndihmon qeverinë e Shqipërisë të përballojë situatën në zonat e përmbytura dhe do të tregojë solidaritetin e tij me familjet e prekura dhe gjithë zonën e Shkodrës”. (s.g/BalkanWeb)