E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi u uron Krishtlindjet Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos dhe Imzot Rrok Mirditës.

25 dhjetor 2007

Me rastin e Krishtlindjeve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta Topi vizituan sot Selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Tiranë, ku u pritën nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos dhe më pas Selinë e Kishës Katolike në Tiranë, ku mirëseardhjen ia uroi Arqipeshkvi metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita.

Në këtë ditë feste për mbarë krishterimin, Kryetari i Shtetit u përcolli përmes mediave të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë kudo ndodhen urimet më të sinqerta e të përzemërta: “Natyrisht që sot është një ditë shumë e veçantë, një ditë e gëzuar. Dëshiroj të jap një mesazh urimi për të gjithë besimtarëve të krishterë dhe ky mesazh është për të gjithë popullin shqiptar. Besoj se nuk e teprojmë të japim të njëjtin mesazh se Festa e Krishtlindjeve është festë për të gjithë shqiptarët, sikurse të gjithë ne festojmë Bajramin. Kjo është shenjë e harmonisë fetare tradicionale, por kjo është një ditë shumë e rëndësishme për të dhënë më shumë mesazhe paqeje, për më shumë tolerancë, më shumë harmoni. Religjionet kanë qenë gjithmonë pikë referimi dhe protagonistë të qetësimit të ujrave dhe në situatat më të vështira që ka pasur Shqipëria dhe kanë qenë misionare të forcimit të demokracisë në Shqipëri, kështu që kemi ç’ka të mësojmë dhe kjo është një ditë e veçantë për ta dhënë këtë mesazh.

Ju uroj edhe një herë të gjithëve!
Gëzuar”!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›