E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.559, DATË 16.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SKEMËN E SHTYRJES SË PAGESËS SË TVSH-SË, PËR MAKINERITË DHE PAJISJET E IMPORTUARA, SI DHE ENERGJINË ELEKTRIKE, TË IMPORTUAR NGA KESH-SHA-JA”

V E N D I M

PËR

 

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.559, DATË 16.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SKEMËN E SHTYRJES SË PAGESËS SË TVSH-SË, PËR MAKINERITË DHE PAJISJET E IMPORTUARA, SI DHE ENERGJINË ELEKTRIKE, TË IMPORTUAR NGA KESH-SHA-JA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 26, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1. Në fund të seksionit I, “Skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së për importimin e makinerive e të pajisjeve”, të vendimit nr.559, datë 16.8.2006, të Këshillit të Ministrave, të shtohet seksioni I/I, me këtë përmbajtje :

I/I. Skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së, për importin e makinerive e të pajisjeve, kur cikli i zhvillimit të investimeve dhe fillimi i ofrimit të prodhimit apo shërbimit është mbi 12 muaj.

1. Për makineritë e pajisjet e importuara, të përcaktuara në aneksin, që i bashkëlidhet këtij vendimi, cikli i zhvillimit të investimeve të të cilave dhe i fillimit të ofrimit të prodhimit ose të shërbimit, është mbi dymbëdhjetë muaj, bëhet zgjatja e afatit të pagesës së TVSH-së, që lidhet me importimin e makinerive e të pajisjeve, përtej dymbëdhjetë muajve, nga çasti i kryerjes së importit.

Personat e tatueshëm importues, që të jenë përfitues të shtyrjes së pagesës së TVSH-së, duhet që importin e makinerive e të pajisjeve ta destinojnë për investim, në kuadër të veprimtarisë së tyre dhe jo për shitje te të tretët.

Prodhimi apo shërbimi, për të cilin bëhet investimi, përftohet përtej periudhës dymbëdhjetëmujore, nga muaji i kryerjes së importit të makinerive e të pajisjeve, lidhur me atë investim.

2. Personi i tatueshëm, përfitues i kësaj skeme, në çastin e importit, paraqet, në organin doganor, dokumentacionin e nevojshëm, justifikues, shoqërues të makinerive e të pajisjeve të importuara, në bazë të kërkesave të legjislacionit doganor. Vlera e tatueshme e makinerive dhe e pajisjeve të importuara përcaktohet, në përputhje me dispozitat e legjislacionit, doganor dhe tatimor, pavarësisht nëse këto makineri dhe pajisje janë apo jo të taksueshme me taksa doganore. Kjo vlerë përfshin, gjithashtu,;

a)       shpenzimet e transportit e të sigurimit dhe shpenzimet e tjera, të përfshira në importimin e makinerive e të pajisjeve, deri në çastin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë;

b)       tarifat, taksat dhe detyrimet e pagueshme, si pasojë e eksportimit të këtyre makinerive e pajisjeve nga shtete, prej të cilave ato eksportohen, apo të pagueshme, si rezultat i importimit të tyre, përveç  TVSH-së së pagueshme.

Organi doganor, pasi përcakton vlerën e tatueshme të makinerive dhe të pajisjeve, me të gjitha elementet e saj, zbaton mbi këtë vlerë, shkallën tatimore të TVSH-së, e cila është në fuqi, në çastin e importimit të makinerive e të pajisjeve.

TVSH-ja e llogaritur nga organi doganor nuk paguhet nga personi i tatueshëm, në çastin e zhdoganimit të makinerive  e të pajisjeve të importuara.

Organi doganor i lëshon personit të tatueshëm importues deklaratën doganore, sipas së cilës zbatohet pagesa e shtyrë e TVSH-së.

3. Në muajin e dymbëdhjetë, pas periudhës së importit, personi i tatueshëm paraqet një kërkesë me shkrim në drejtorinë rajonale tatimore, ku është i regjistruar, me të cilën kërkon zbatimin e procedurës së shtyrjes së pagesës së TVSH-së, përtej periudhës dymbëdhjetëmujore.

4. Mungesa e kërkesës apo e interesimit të personit të tatueshëm, brenda muajit të dymbëdhjetë, i humb atij të drejtën e përfitimit nga kjo skemë dhe, që nga muaji i trembëdhjetë, ai vlerësohet si debitor ndaj organit doganor.

5. Drejtoria rajonale tatimore verifikon menjëherë përputhjen e kërkesës së personit të tatushëm me rrjedhojën e kryerjes së investimeve. Konkretisht, apo faktin që personi i tatueshëm nuk ka kryer :

a)       asnjë furnizim për të tretë;

b)       vetëfurnizim;

c)       përdorim për vete të produktit, për të cilin kryhet investimi.

Drejtoria rajonale tatimore mban në një regjistër të veçantë të dhëna për çdo person të tatueshëm, që përfiton nga shtyrja, përtej dymbëdhjetë muajve e pagesës së TVSH-së.

Kjo kategori personash të tatueshëm mbikëqyret nga kjo drejtori, deri në kryerjen e furnizimit të parë, të paraqitur në faturën tatimore, të lëshuar prej tij.

6. Kur vërtetohet, pas verifikimit në vend, përputhja e kërkesës së personit të tatueshëm me situatën në fakt, drejtoria rajonale tatimore dërgon, zyrtarisht, brenda 7 ditëve nga data e protokollimit të kërkesës, në adresë të personit të tatueshëm, konfirmimin e faktit që, produkti/shërbimi, për të cilin kryhet investimi, nuk është krijuar dhe as nuk është furnizuar nga personi i tatueshëm. Në të njëjtën shkresë zyrtare paraqitet edhe situata tatimore e personit të tatueshëm, për pagesën e detyrimeve të aplikuara tatimore, si dhe të kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore.

7. Personi i tatueshëm i paraqet ministrit të Financave kërkesën, me shkrim, për shtyrjen e afatit të pagesës së TVSH-së, përtej dymbëdhjetë muajsh, së bashku me :

a)       përgjigjen e dhënë nga drejtoria rajonale tatimore (origjinale), sipas pikës 6, të këtij seksioni;

b)       kopjen e kontratës/ave ose të marrëveshjes me zbatuesit e investimit, ku të jetë përcaktuar qartë afati i kryerjes së të gjithë ciklit të investimeve;

c)       parashikimin e afatit të fillimit të ofrimit të prodhimit ose të shërbimit.

8. Ministri i Financave, brenda shtatë ditëve nga data e protokollimit të kërkesës, miraton ose jo zgjatjen e afatit të shtyrjes së pagesës së TVSH-së për subjetikin e interesuar. Një kopje e kërkesës së miratuar dërgohet pranë autoritet doganor, me qëllim që subjekti të mos shpallet debitor.

9. Personi i tatueshëm, në të njëjtin muaj, që përputhet me periudhën, kur ai do të kryejë furnizimin e parë të produktit të përftuar nga investimi i kryer, paraqitet në drejtorinë rajonale doganore, ku janë kryer procedurat e importit, për të kryer pagesën e TVSH-së, të llogaritur në çastin e importit. Për pagesën e kryer, drejtoria rajonale doganore i lëshon personit të tatueshëm dokumentin përkatës, për këtë veprim.

Njëkohësisht, drejtoria doganore njofton, me shkrim, drejtoritë rajonale tatimore, ku është i regjistruar personi i tatueshëm, për mbylljen e veprimeve të lidhura me TVSH-në, me këtë person.

10. Drejtoria rajonale tatimore, me të marrë njoftimin nga drejtoria rajonale doganore, për pagesën e TVSH-së, bën shënimet e saj përmbyllëse me personin e tatueshëm, në regjistrin e veçantë, të mbajtur për këtë kategori.

11. Data e pagesës së TVSH-së në doganë përcakton edhe periudhën tatimore (muajin), në të cilin personi i tatueshëm e regjistron (vetëm për qëllim të mbajtjes së dokumentacionit për TVSH) dhe e deklaron TVSH-në, si të zbritshme pranë organeve tatimore.

Në formularin e deklarimit dhe të pagesës së TVSH-së, të kësaj periudhe tatimore, vlera e tatueshme e makinerive dhe e pajisjeve, si dhe TVSH-ja, e llogaritur dhe e paguar për importin e tyre, raportohen, përkatësisht, në rubrikat e importit.

12. Personi i tatueshëm gëzon të drejtën e kreditimit të plotë të TVSH-së, vetëm kur makineritë dhe pajisjet e importuara i shërbejnë krejtësisht veprimtarisë së tij të tatueshme.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave, Drejoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA


24/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›