E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë.

20 janar 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i përcjell Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama urimet më të mira me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë nëpërmjet një mesazhi, në të cilin thuhet:

“I nderuar Zoti President,

Zgjedhja Juaj si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të mira e më të përzemërta për fitoren Tuaj historike!

Më lejoni, Zoti President që, me këtë rast, të ritheksoj besimin tim, se niveli i shkëlqyer që ka karakterizuar marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-së, gjatë Presidencës Suaj, do të forcohet dhe zhvillohet më tej, në dobi të dy popujve tanë miq.

Angazhimi i SHBA-së në mbështetje të popullit tim, përgjatë gjithë proceseve të brendshme demokratike-reformuese dhe sfidave atlantike-integruese, është për ne garanci inkurajuese për vazhdimësinë dhe kryerjen e suksesshme të tyre.

Dëshiroj t’Ju siguroj, Zoti President, për angazhimin tim dhe të vendit tim, si aleatë e partnerë të besueshëm përkrah popullit amerikan, në trajtimin e politikave të përbashkëta rajonale dhe globale, me synim paqen, stabilitetin dhe zhvillimin, për një bashkëjetesë harmonizuese mbarëbotërore!

Me urimet e mia më të mira dhe me përshëndetjet më miqësore, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›