E Diel, 1 Nëntor 2026

Propozimi i PS: Hetim Kryeministrit edhe pasi lë detyrën

Tryeza e PS per drejtesine

PS publikon paketën e ndryshimeve në Kodin Penal: Kryeministri dhe ministrat përgjigjen penalisht edhe pas mbarimit të detyrës.

Falsifikimi i të dhënave statistikore nga nëpunësit të dënohet deri me 5 vjet burg

Partia Socialiste propozon një paketë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilat pritet të futen në mbledhjen e së hënës në Komisionin e Ligjeve. Në tryezën me temë Drejtësia në sfidën e integrimit. Deputetët socialistë të këtij komisioni kanë bërë 14 propozime, të cilat prekin hetimin e zyrtarëve të lartë pas lënies së detyrës, dënimin e zyrtarëve që falsifikojnë statistikat zyrtare, dënimin e personave që pengojnë zbardhjen e vendimeve të gjykatave, si dhe masa të forta për dhunën në familje.
Hetimi i Kryeministrit
Në propozimin e parë të deputetëve socialistë të Komisionit të Ligjeve është bërë një shtesë në nenin 45 të Kodit Penal, sipas të cilit Kryeministri dhe ministrat, pasi lënë detyrën, mund të hetohen për vepra penale që kanë kryer gjatë ushtrimit të detyrës. Kryeministri dhe ministrat, edhe pas mbarimit të detyrës, i nënshtrohen juridiksionit të zakonshëm për veprat penale të kryera gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Ministrat janë përgjegjës kolegjialisht për aktet e Këshillit të Ministrave dhe individualisht për aktet e institucioneve tyre. Përgjegjësia penale e Kryeministrit dhe e ministrave rregullohen me ligj të veçantë (pjesë përbërëse e Kodit), thuhet në dispozitën që propozon PS-ja. Një tjetër amendim i PS-së ka të bëjë me falsifikimin e statistikave zyrtare. Nisur nga akuzat e shumta të opozitës për INSTAT-in, veçanërisht në shifrat e botuara për rritjen ekonomike, është propozuar që personat që falsifikojnë këto të dhëna mund të dënohen me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Falsifikimi i të dhënave statistikore zyrtare dhe administrative nga nëpunësi publik në ushtrimin e funksionit të tij zyrtar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë apo ka sjellë pasojë të rënda në deformimin e tregut ose ekonominë e vendit, dënohet me burgim nga dy vjet deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë, thuhet në nenin 191/a që propozohet.
Gjyqësori
Sa u takon vendimeve të gjykatave, opozita kërkon që moszbardhja brenda afatit të parashikuar në ligj dhe pa shkaqe të përligjura të vendimit përfundimtar gjyqësor nga gjykata që ka dhënë vendimin, dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet. Nisur nga situata që po kalon vendi për shkak të reshjeve të shumta të dëborës, por edhe precedentit të përmbytjeve të një viti më parë, opozita propozon masa të forta mosmarrjen e masave për menaxhimin e ujërave. Konkretisht, nëse nuk shmangen përmbytjet dhe kur janë shënuar dëme të mëdha në gjënë e gjallë, pronën dhe trashëgiminë kulturore, dënohet me gjobë ose burg deri në pesë vjet. Sa i takon veprës së prostitucionit, propozohet që shtytja, ndërmjetësimi, dhënia ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. PS-ja ka bërë gjithashtu edhe disa amendime për dhunën në familje, të cilat rrisin masën me burg për dhunuesit.

Hysi
Deputetja e PS-së tha dje në tryezën e opozitës se sulmet politike ndaj Prokurorisë kanë mundur të dobësojnë veprimtarinë e saj. Prokuroria në disa çështje me rëndësi është treguar apatike në funksionalitetin dhe eficiencën e saj. Ajo që është e rëndësishme, ne mendojmë se respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut në një proces penal është jetik. Zvarritjet e disa proceseve gjyqësore (si për shembull Gërdeci), kultura e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve me funksione publike kanë bërë që publiku të mos ketë besimin te drejtësia në përgjithësi dhe drejtësia penale në veçanti.

Propozimet e PS për Kodin Penal
Neni 45/a shtohet

Zbatimi i ligjit penal ndaj Këshillit të Ministrave
Kryeministri dhe ministrat, edhe pas mbarimit të detyrës, i nënshtrohen juridiksionit të zakonshëm për veprat penale të kryera gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.
Ministrat janë përgjegjës kolegjialisht për aktet e Këshillit të Ministrave dhe individualisht për aktet e institucioneve tyre.
Përgjegjësia penale e Kryeministrit dhe e ministrave rregullohen me ligj të veçantë (pjesë përbërëse e këtij Kodi).
Neni 191/a shtohet
Falsifikimi i statistikave zyrtare dhe administrative
Falsifikimi i të dhënave statistikore zyrtare dhe administrative nga nëpunësi publik në ushtrimin e funksionit të tij zyrtar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë apo ka sjellë pasojë të rënda në deformimin e tregut ose ekonominë e vendit, dënohet me burgim nga dy vjet deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.
Neni 59 ishte
Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim
Për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit dhe rrethanave të kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burgim gjer në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të vihet në provë duke u pezulluar ekzekutimi i dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale po aq të rëndë apo më të rëndë. Afati i provës është tetëmbëdhjetë muaj gjer në pesë vjet.
Neni 59 bëhet
Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë
Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesë  vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Gjykata urdhëron që i dënuari të përmbushë një apo më shumë detyrime, të parashikuara në nenin 60 të këtij Kodi.
Afati i provës është 18 muaj deri në 5 vjet.
Nëse i dënuari nuk mban kontakte me shërbimin e provës apo nuk përmbush detyrimet e parashikuara në nenin 60, siç është urdhëruar nga gjykata, gjykata vendos zëvendësimin e dënimit të parë me një dënim tjetër, zgjatjen e afatit të mbikëqyrjes, brenda periudhës së provës, ose revokimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit.
Pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim nuk zbatohet për personat e dënuar për kryerjen e veprës penale të Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Neni 313/1 shtohet
Moszbardhja e vendimit gjyqësor:
Moszbardhja brenda afatit të parashikuar në ligj dhe pa shkaqe të përligjura të vendimit përfundimtar gjyqësor nga gjykata që ka dhënë vendimin, dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet.
Neni 153/a shtohet
Mosmarrja e masave për menaxhimin e ujërave:
Mosmarrja e masave që lidhen me:
a) parashikimin dhe menaxhimin e ujërave për të shmangur përmbytjen e territorit;
b) parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin e çdo dëmtimi që prek popullatën, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga përmbytjet, prej personit përgjegjës dhe kur kanë ardhur pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Neni 20

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›