Presidenti i PL-së, Ilir Meta, kërkesë SPAK-ut: Dua të dëshmoj për “21 Janarin”

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga ambientet e paraburgimit “313” ku po qëndron aktualisht, ka shprehur gatishmërinë për të dëshmuar para Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me një nga ngjarjet më të rënda të historisë pluraliste shqiptare, atë të 21 Janarit 2011.
Gazetarja e RTSH 24 bën të ditur se Meta ka thirrur sot gjatë ditës avokatin e tij mbrojtës, Kujtim Cakrani, në ambientet e burgut. Gjatë takimit, kreu i PL-së i ka kërkuar përfaqësuesit të tij ligjor që të hartojë dhe të dorëzojë një kërkesë zyrtare drejtuar prokurorit të SPAK, Alfred Shehu.
Në kërkesën e tij, Ilir Meta kërkon të merret në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethana dhe fakte konkrete që lidhen me protestën e dhunshme të 21 Janarit, ku mbetën të vrarë katër qytetarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kërkesa i drejtohet specifikisht prokurorit Shehu, i cili po heton dosjen e rihapur të kësaj ngjarjeje.
/rtsh.al/