Presidenti i Tajvanit i kërkon Kinës të përmbahet nga kërcënimet

Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, i bëri thirrje Kinës “të hapë krahët, e jo të ngrehë grushtet”, teksa ai përmbylli vizitën e tij të parë jashtë vendit që kur mori mandatin në maj.
Deklaratat e bëra në konferencën për media në ishullin Palau më 6 dhjetor, erdhën si përgjigje ndaj spekulimeve se Kina do të mbajë stërvitje ushtarake përreth Tajvanit, për të kundërshtuar vizitën e tij në Paqësor.
“Pavarësisht se sa stërvitje ushtarake mbahen dhe sa luftanije dhe avionë luftarakë përdoren për të detyruar vendet fqinje, ata nuk do të jenë në gjendje të fitojnë respektin e asnjë shteti”, tha ai.
Presidenti i Tajvanit i bëri këto deklarata një ditë pasi Ministria e Jashtme kineze njoftoi për vendosjen e sanksioneve ndaj 13 kompanive amerikane dhe gjashtë udhëheqësve të kompanive, pasi së fundi u njoftua për shitje të armëve për Tajvanin.