E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti i ri, Grupi Parlamentar i PD reagon ndaj Berishës: Mos fol në emër të grupit!

Grupi Parlamentar i PD-së ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Berisha nga Shkodra se ai nuk do të mbështeste asnjë kandidat për President nga maxhoranca, pasi sipas tij do të ishin kandidatët e Ramës.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Grupi Parlamentar i PD thekson se nuk ka filluar ende asnjë diskutim mbi kandidaturat për president, ndërsa i kujtoi Berishës se nuk ishte pjesë e këtij grupi. “Grupi parlamentar i PD nuk ka nisur ende asnjë diskutim për sa i përket çështjes së presidentit të Republikës. Në ditët në vijim, për shkak se mund të jetë ne axhendën parlamentare, do të diskutohet me anëtarët e grupit për këtë çështje. Qendrimet personale të askujt, aq më tepër të atyre që nuk janë pjesë e grupit parlamentar të PD nuk kanë kurrëfarë lidhje me qendrimin dhe vendimarrjen e grupit parlamentar. Ata që flasin sot për këtë çështje, në fakt, me ndryshimet kushtetuese të 2008, ia kanë mundësuar Edi Ramës ta zgjedhë, thjesht me vetëm votat e tij presidentin e vendit” shkruahet ne status.
Reagimi erdhi pasi ish kryeministri Sali Berisha i cili po synon rikthimin përfundimtar në krye të PD gjatë një vizite në Shkodër tha “Ne jemi opozitë dhe nuk mund të propozoj emër. Nuk votoj kandidatët e Edi Ramës sepse do  të thotë të çosh në presidencë kopjen e tij. Konsensusi me Edi Ramën është të puthesh me judën. Ai vuan nga kompleksi i vdekjes edhe në gjumë ngrihet llahtar nga unë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›