Presidenti i ri, Mediu apel opozitës: Të gjejmë konsensus mes nesh, pastaj me Ramën

Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ndryshim, Fatmir Mediu në një prononcim për media jashtë ambienteve të Kuvendit ka bërë me dije se ka diskutuar me grupin negociator të Komisionit të Rithemelimit, Oerd Bylykbashin, Luçiano Boçin si dhe kryetarin e grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeajn për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Për këtë të fundit, Mediu ka thënë se opozita duhet të gjejë konsensusin brenda vetes së pari, që më pas të mund të gjejë gjuhën e përbashkët edhe me mazhorancën.
“Unë i kam të gjithë kolegë të mi. Kemi diskutuar me ta por edhe me kolegë të tjerë të opozitës për të gjetur një gjuhë të përbashkët në negociimin për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ne jemi te qëndrimi i Aleancës për Ndryshim, që të kemi një kandidat të përbashkët që t’ia përcjellim jo vetëm mazhorancës por edhe opinionit publik shqiptar, një kandidaturë që qëndron mbi palët. Ky ka qenë diskutimi që kemi bërë me deputetë dhe përfaqësues. Kam diskutuar me z.Bylykbashi, me z.Boçi, me z.Alibeaj. Mendoj se përgjegjësia që kemi si deputetë dhe opozitë, që në krye të shtetit, në pozicionin e presidentit, të jetë një njeri që është në funksion të unitetit të popullit. Procedura kushetuese ka përcaktuar nevojën për konsesus dhe ky konsensus i parë duhet të jetë brenda opozitës. Nëse opozita nuk garanton një konsensus mes vetes është e kotë që të diskutojmë me mazhorancën. Të kemi një përfaqësi negociatore të përbashkët, ose të kemi një figurë të përbashkët që të biem dakord. Kemi qenë të hapur për të pasur një proces negocitor të unifikuar dhe duhet të gjejmë një kandidaturë të përbashkët. Nuk kemi fol për emrat, jemi në kuadër diskutimi. Ky është më tepër proces dhe besoj se emrat do vijnë”, tha Mediu.
Sa i përket bisedimeve të opozitës me Partinë Socialiste, Mediu u shpreh se kanë patur diskutime dhe se do t’i vijojnë ato. Procesi për zgjedhjen e Presidentit, sipas tij, duhet të dhurojë një emër konsensual dhe për këtë duhet që opozita dhe mazhoranca të gjejnë një figurë që të jetë mbi palët dhe të përfaqësojë unitetin e popullit.
“Ka pasur diskutime që janë bërë më parë me PS të cilat do të vazhdojnë, opozita është e gjitha për procesin, kemi dallime për qasje procesi, por është e domosdoshme. Ky proces duhet të dhurojë një emër konsensual. Duhen disa kushte që të plotësojë presidenti i Republikës të jetë mbi palët dhe të jetë me integritet. Duhet t’i përgjigjet vetëm kushtetutës dhe jo bindjeve politike”, u shpreh Mediu, ndërsa paralajmëroi se nëse Qeveria e zgjedh presidentin e ri pa konsensus, opozita do të dalë me një qëndrim kundra. Mediu theksoi se opozita nuk do të ketë paragjykime me kandidaturat që po paraqiten, nëse ato do jenë ashtu sikurse e kërkon Kushtetuta.
“Negociatat nuk duhet të jenë përjashtuese kurse kriteret duhen të përcaktohen qartë mbi atë që përcakton Kushtetuta për zgjedhjen e presidentit. Nëse do të kemi paragjykime nuk do të kemi një emër siç e përcakton Kushtetuta. Ne kemi qëndrimin tonë si grup dhe flasim për opozitën në momentin kur vijnë kandidaturat dhe kur ka kandidatura që nuk ofron konsensusin atëherë ne do të mbajmë kritika. Nuk i bëj hesapet me Edi Ramën, por i bëj analizat me faktorin opozitar që ka një detyrim me Kushtetutën dhe oponionin publik.
Opozita ka detyrim në raport me kushtetutën dhe opozita publik nuk duhet të bojkotojmë procesin dhe të shikojmë nëse Edi Rama do të na dëgjojë propozimin. Kur nuk ka kandidatura të njëanshme dhe nuk ofron bashkëpunim politik, atëherë opozita të mbajë qëndrimin e vet”, tha Mediu.
/rtsh.al/