E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i ri i Kosovës, PDK deklaron se nuk do të votojë për Osmanin

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për Vjosa Osmanin. Kështu u shpreh për gazetarët kryetari i grupit parlamentar të kësaj force, Arian Tahiri.

“Nuk është se po dua të përmend me emra të përveçëm. Vendit nuk i bën nder dikush që ka pasur qasje të njëanshme dje dhe që përfaqëson vetëm një grup apo subjekt, por po flasim për dikë që është mbi partitë politike”, tha ai.

Një ditë pasi anëtarët e familjes Jashari u shprehën se nuk kishin asnjë qëllim për t’u bërë pjesë e garës për postin e presidentit, Tahiri theksoi se partia së cilës i përket mbështet për president dikë që përfaqëson unitetin politik dhe atë qytetar.

“Vendit i bën nder dhe PDK-ja e mbështet dikë që nuk e përfaqëson vetëm një parti politike. Nuk e përfaqëson veç pozitën apo veç opozitën, por dikë që e përfaqëson edhe pozitën, edhe opozitën dhe qytetarët që realisht nuk e votojnë presidentin direkt. Dikush që ka kontribute dhe është intelektual dhe i bën nder shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Vazhdojmë me mbet brenda këtyre qëndrimeve, në kuptim të asaj që me diskutua në parim dhe standard se kush do të duhej t’i plotësonte këto atribute për t’u bërë president i vendit. Ende nuk është faza që kemi folur në emra të përveçëm. Vullneti i PDK-së është me kontribuar në interes të institucioneve të vendit dhe shoqërisë, por nëse nuk mundet me u zgjedh dikush dhe s’ka me pas disponim prej forcës kryesore politike, PDK-ja është e gatshme me shkua në zgjedhje”, tha ai.

Ndërkohë, e dërguara e SHBA, Anu Pratipati ishte të enjten në presidencë, ku u takua me Osmanin,  e vetmja që ka shprehur ambiciet për të rikandiduar për postin e lartë dhe që mandati i së cilës përfundon në datën 4 prill. sipas kushtetutës,  pasardhësi ose pasardhësja duhet të zgjidhet 30 ditë para kësaj date dhe përmes një procesi votimi që kërkon një shumicë të cilësuar në Kuvend. Për zyrtarizmin e kandidaturës, Osmani duhet të mbledhë 30 firma deputetësh dhe në garë me të duhet të jetë të paktën dhe një kandidat tjetër.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›