E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Presidenti i ri i vendit, nisin përgatitjet për ceremoninë e fillimit të detyrës nga Bajram Begaj

Kur edhe pak javë na ndajnë nga ceremonia e fillimit të detyrës së presidentit të ri të zgjedhur nga Kuvendi, Bajram Begaj, kanë nisur edhe përgatitjet për zhvillimin e kësaj ceremonie që ka karakter solemn. Me datë 24 korrik 2022, ceremonia pritet të nisë në orën 18:00 në Parlamentin e Shqipërisë.

Seancën do ta drejtojë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Pas leximit të formulës së betimit, zoti Begaj do të betohet para deputetëve të Kuvendit, dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Ceremonia e dytë do të zhvillohet në ambientet e Presidencës. Ajo është parashikuar të zhvillohet në orën 19:30. Në këtë ceremoni bëhet dorëzimi i detyrës nga presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri, Bajram Begaj, i cili mësohet se do të shoqërohet nga familja e tij. 

Në mënyrë simbolike kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, do i dorëzojë Presidentit Begaj, kushtetutën e vendit. Pjesë e ceremonialit do të jetë dhe shoqërimi i emërimit të kreut të shtetit me 21 të shtëna topi.

Pas këtij ceremoniali, Presidenti i ri do të mbajë një fjalë përshëndetëse para personaliteteve të ftuara në këtë aktivitet, si edhe qeveritarëve dhe trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. 

Procedurat

Ceremonia e fillimit të detyrës së Presidentit të Republikës zhvillohet si një e tërë, e ndarë në dy momente kryesore, në sallën e Kuvendit dhe në Selinë e institucionit të Presidentit të Republikës.

Ditën e caktuar, në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, përveç deputetëve, mund të marrin pjesë edhe të ftuar të tjerë të huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike. Protokolli i Kuvendit drejton ceremoninë në sallën e Kuvendit.

Presidenti në detyrë, me familjen e tij, zë vend në lozhën nr.1, kurse në atë ngjitur vendoset familja e Presidentit të zgjedhur.

Në orën 18:00, Presidenti i Republikës mbërrin në hyrjen kryesore të Kuvendit dhe po në këtë moment del aty për ta pritur Kryetari i Kuvendit dhe mbasi përshëndeten, hyjnë nëpërmjet sallës dhe zënë vend në podium.

Kryetari i Kuvendit fton Presidentin të ngrihet në këmbë për të bërë betimin, ndërkohë që të gjithë të pranishmit janë të ulur nëpër vendet e tyre. Kryetari i Kuvendit lexon formulën e betimit, sipas kushtetutës, neni 88, pika 3. Presidenti deklaron:”Betohem” (Presidenti mund të shtojë “Zoti më ndihmoftë”).

Ekzekutohet himni kombëtar i Shqipërisë dhe të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë. Kryetari i Kuvendit fton Presidentin për të marrë fjalën përshëndetëse para Kuvendit. Presidenti mban fjalën.

Kryetari i Kuvendit uron Presidentin për detyrën dhe deklaron mbylljen e seancës plenare, duke kërkuar leje për ta shoqëruar Presidentin deri në hyrjen kryesore. Të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë.

Mbas Kuvendit të Shqipërisë, ceremonia presidenciale vijon në Selinë e institucionit të Presidentit të Republikës. Të ftuarit mbërrijnë në Selinë e institucionit të Presidentit të Republikës deri në orën 19:15 dhe zënë vendet e caktuara për ta. Tribuna A rezervohet për miqtë e huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike, kurse tribuna B, për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë vendas.

Në orën 19:25 mbërrin dhe zë vend në krye të shkallëve të Selisë së institucionit të Presidentit të Republikës ish-Presidenti i Republikës.

Në orën 19:30 mbërrin Presidenti i Republikës, makina e të cilit shoqërohet nga truproja e nderit në katër motoçikleta ceremoniale.

Zhvillohet ceremonia e nderit sipas skemës përkatëse. Presidenti drejtohet dhe zë vend në krye të shkallëve të Selisë së institucionit të Presidentit të Republikës, në të djathtë të ish-Presidentit. Në të dyja anët e shkallëve janë vendosur oficerë të Gardës së Republikës me uniforma ceremoniale.

Ekzekutohet himni kombëtar, i cili shoqërohet me 21 të shtëna topi artilerie me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, flamuri kombëtar qëndron i ngritur.

Drejtori i Protokollit të Shtetit fton kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, që, në mënyrë simbolike, t’i dorëzojë Presidentit të ri, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Gjatë dorëzimit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese deklaron: “I nderuar zoti President, kam nderin t’ju dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Drejtori i Protokollit të Shtetit fton Presidentin e zgjedhur të Republikës të bëjë përshëndetjen e rastit.

Zhvillohet parakalimi tradicional i truprojës së nderit. Pas kësaj, të pranishmit ftohen në Pallatin e Brigadave për të marrë pjesë në pritjen zyrtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›