Presidenti konsultohet me ambasadorin e Gjermanisë
10/02/2010 Ngërçi politik, kreu i shtetit intensifikon takimet me ndërkombëtarët për zgjidhjen
Suksesi i tryezës, Topi dëgjon sugjerimet e të gjithë zërave diplomatikë
Në vijim të konsultimeve për moderimin në mënyrë të suksesshme të tryezës politike Berisha-Rama, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, takoi dje ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt. Në takim kreu i shtetit dhe ambasadori diskutuan mbi krizën politike në vend edhe për tryezën e ardhshme politike mes pozitës dhe opozitës, të cilën Presidenti Topi vendosi ta thërrasë ditën e shtunë. Ashtu si edhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë në Shqipëri, edhe ai i Gjermanisë ka ritheksuar rëndësinë e pranisë së opozitës në Kuvend, si një domosdoshmëri për përballjen e vendit me sfidat e rëndësishme të integrimit në Bashkimin Evropian. Në mënyrë të veçantë ai sugjeroi që partitë politike të marrin parasysh rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, dhe për një gjë të tillë, sipas tij, janë të nevojshme vendimet e parlamentit, për të cilat nevojitet shumicë e cilësuar votash. Borchardt u prit nga Presidenti i Republikës edhe në kuadër të përgatitjes së vizitës zyrtare që kreu i shtetit shqiptar do të zhvillojë në Gjermani, në prill të këtij viti. Marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi shumëpalësh me Gjermaninë në të gjitha fushat, duke i vënë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjes së pranisë së investitorëve gjermanë në vendin tonë, u vlerësuan si shumë të mira nga Presidenti Topi. Ndërsa ambasadori Borchardt nga ana e tij vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave në nivelet më të larta, që kontribuojnë edhe në rritjen e nivelit të dialogut dhe bashkëpunimit politik. Takimi me ambasadorin e Gjermanisë në vendin tonë u zhvillua një ditë pas takimeve që numri një i shtetit zhvilloi me ambasadorët e organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë në vendin tonë, ambasadorin e Spanjës, që mban Presidencën e BE-së, ambasadorin e KE-së dhe të SHBA-ve. Takimet e intensifikuara të Topit me ndërkombëtarët kanë pasur në qendër të tyre krizën politike në vend.
Arritja e marrëveshjes Berisha-Rama
Ecuria e negociatave nën “dirigjimin” e Presidentit
Nëse dy protagonistët kryesorë të politikës shqiptare për zgjidhjen e ngërçit politik që ka mbërthyer vendin, Kryeministri Berisha dhe lideri i opozitës, Edi Rama, do të arrijnë në një marrëveshje politike, atëherë do të jetë një tjetër grup negociatorësh që do të merren me anën teknike. Burime konfirmojnë se grupet teknike do të ngrihen vetëm nëse palët do të arrijnë në një marrëveshje, e cila duket se nuk do të jetë e lehtë, referuar qëndrimit të palëve. Negociatat, që pritet të nisin me tryezën e së shtunës, pritet të vijojnë edhe me disa takime të tjera deri në mbërritjen e Komiteti Presidencial të Asamblesë, më 22 shkurt në vendin tonë, për të ndihmuar në rivendosjen e dialogut politik. Pjesë në delegacionin e organizmit ndërkombëtar do të jetë presidenti i Asamblesë Parlamentare Mevlyd Cavoshugu dhe sekretari i përgjithshëm, Thorbjorn Jagland. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas disa konsultimeve paraprake me ambasadorët ndërkombëtarë në vendin tonë vendosi që të thërrasë më 13 shkurt tryezën politike, për të diskutuar dhe zgjidhur krizën politike, në të cilën është përfshirë politika shqiptare prej më shumë se 6 muajsh.
Bisedime edhe me përfaqësuesin diplomatik të SHBA-së
Topi takoi fillimisht ambasadorët e BE-së dhe KE-së
Mesditën e 8 shkurtit, pak orë para se të vendoste për kohën e thirrjes së tryezës politike, Presidenti Topi priti në zyrën e tij ambasadorin e Spanjës, vend që kryeson Presidencën e BE-së, Emanuel Montobio dhe përfaqësuesin e KE-së, Helmut Lohan. Rreth një orë më pas, ai priti për të njëjtin qëllim edhe ambasadorin amerikan Xhon Uithers. Takimi mes kreut të mazhorancës dhe atij të opozitës do të zhvillohet në përpjekje për t’i kontribuar normalizimit të klimës politike dhe rivendosjes së dialogut parlamentar. Lëvizjet më të fundit politike për vendosjen e Presidentit Topi si negociator të takimit mes dy liderëve u nxitën nga rekomandimet e ndërkombëtarëve. Fillimisht përmes një projekti dhe më pas një rezolute të miratuar nga Këshilli i Evropës, kreut të shtetit shqiptar iu la si detyrë të bënte rolin e negociatorit. Në këtë mënyrë ai ka mbështetjen e të gjithë faktorit ndërkombëtar, por zgjidhja e krizës politike mbetet në dorë të protagonistëve kryesorë politikë, liderit të PD-së, Berishës dhe atij të PS-së Ramës. Se sa do të lëshojë secila palë, kjo mbetet për t’u parë në takimet në vijim.