E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Gati privatizimi i të gjitha pasurive shtetërore

10/02/2010  Vetëm digat, shkollat dhe spitalet do të menaxhohen nga shteti
Qeveria shqiptare do të privatizojë të gjitha asetet shtetërore, duke përjashtuar vetëm digat, shkollat dhe spitalet. Lajmi u bë i ditur dje nga Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me ministra dhe specialistë lidhur me procesin e privatizimeve. Ashtu siç pritej viti 2010 do të jetë viti ku qeveria shqiptare do të kalojë në duart e investitorëve privatë pjesën e mbetur të aseteve shtetërore. Duke e cilësuar vitin e kaluar si tepër të suksesshëm në procesin e privatizimit të të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, Kryeministri Berisha kërkoi që të kompletohet procesi i privatizimin e të gjitha pasurive publike, duke synuar rritjen në një nivel të ri të menaxhimit të aseteve në Shqipëri. “Ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme”, u shpreh Kryeministri. Sipas parashikimeve të ardhurat që do të grumbullohen nga ky proces do të përdoren kryesisht për kompensimin e pronarët sipas ligjit si dhe do ti japë mundësi qeverisë të realizojë programin e saj. “Ky është takimi i radhës për një nga problemet në parim më madhore të qëndrimit tonë në rrafshin ekonomik, problemin e privatizimit. Ne kemi shënuar para këtij viti sukseset më të mëdha në privatizimin e të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, por ne duhet të kompletojmë privatizimin e të gjitha aseteve, e cila është e domosdoshme, duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet. Ky proces është i domosdoshëm dhe jetik, para së gjithash, për tu ndarë me një zinxhir korrupsioni në sipërmarrjet publike, në sipërmarrjet ku shteti është aksioner dhe në tërë pronat që janë çerdhet e korrupsionit”, deklaroi Kryeministri. Duke i vënë theksin korrupsionit që bëhet me shfrytëzimin e aseteve publike, Berisha theksoi se “armiku numër një i privatizimit është korrupsioni. Ai përpiqet të bëjë çdo gjë për ta bllokuar atë, sepse status quo-ja u leverdis atyre, i mjelin si lopën dhe i fusin në xhepat e tyre aksionet publike të qeverisë apo sipërmarrjet e tjera më radhë. Armiku i dytë është burokracia jonë, e cila zvarrit këtë proces që duam të eci me shpejtësi të madhe”.
“Metropol” paralajmëroi procesin
Gazeta “Metropol” paralajmëroi dje se brenda këtij viti qeveria shqiptare do të privatizojë të gjitha aksionet e minorancës të mbetura në kompanitë që janë privatizuar, si dhe do të hartojë strategjitë për privatizimin e Korporatës Elektrotroenergjetike Shqiptare dhe asaj të naftës Albpetrol. Gjatë këtij viti qeveria do të nxjerrë në shitje edhe 24 për qind të aksioneve shtetërore të mbetura në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, 25 për qind të aksioneve të Albtelekomit si dhe të 15 për qind të aksioneve në kompaninë ARMO. Ndërkohë një ndër objektivat kryesor për këtë vit do të vazhdojë të mbetet privatizimi i kompanisë së sigurimeve INSIG.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›