Presidentja Osmani kundërshton caktimin e gjyqtarit Laban, tërheq kërkesën nga Gjykata Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar ashpër caktimin e gjyqtarit Radomir Laban si gjyqtar raportues në një çështje thelbësore për rendin kushtetues dhe, si pasojë, ka tërhequr kërkesën e paraqitur më 22 korrik 2025 në Gjykatën Kushtetuese.
Në një konferencë për media, Presidentja Osmani theksoi se vendimi për tërheqjen e kërkesës erdhi pas konfirmimit se Laban ishte caktuar si gjyqtar raportues. Ajo bëri me dije se institucionet e sigurisë së Kosovës kanë dorëzuar informacione zyrtare dhe të qarta për veprimtarinë e rrezikshme të tij gjatë viteve 2018, 2021 dhe 2024.
“Pikërisht bazuar në informacionet e sigurisë, Ministria e Drejtësisë kishte refuzuar ta emëronte noter Labanin”, tha Osmani.
Ajo e konsideroi caktimin e tij si shqetësues dhe të rrezikshëm, duke argumentuar se vendimet e tij mund të kenë pasoja afatgjata për të ardhmen e Kosovës.
Roli i gjyqtarit raportues dhe rreziku për rendin kushtetues
Presidentja Osmani shpjegoi rëndësinë e rolit të gjyqtarit raportues, i cili “e trason rrugën e një rasti”, një rrugë që përgjithësisht ndiqet nga e gjithë gjykata.
Ajo vuri në dukje se rregullorja i jep kryetarit të Gjykatës Kushtetuese diskrecion të plotë për të caktuar gjyqtarin për një rast të caktuar, edhe pse praktika parashikon ndarje të balancuar të rasteve.
“Është thellësisht shqetësuese se si një gjyqtar, për të cilin institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informata zyrtarisht se rrezikon shtetin tonë, t’i lihet në dorë ta përcaktojë fatin e rendit tonë kushtetues”, shtoi ajo.
Osmani e cilësoi tërheqjen e kërkesës si një veprim të domosdoshëm për mbrojtjen e rendit kushtetues. “Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona që, sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë atë”, përfundoi Presidentja.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Laban përmendet në këtë kontekst. Një vit më parë, Presidenca e Kosovës kishte raportuar gjithashtu se ai po cenonte sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit.
/rtsh.al/