E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidentja Vjosa Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Tajlandës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri jorezident të Mbretërisë së Tajlandës në Republikën e Kosovës, Phrommes Bhaholpolbhayuhasena.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, theksohet se gjatë takimit Osmani i ka uruar mirëseardhjen ambasadorit Bhaholpolbhayuhasena dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve.

Osmani vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Tajlandës, duke e cilësuar atë si një raport të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta.

“Ambasadori Bhaholpolbhayuhasena shprehi gatishmërinë për të punuar drejt thellimit të bashkëpunimit midis dy shteteve, gjersa e uroi Presidenten Osmani për organizimin e sivjetëm të Forumit Ndërkombetar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku mori pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Tajlandës, Lalivan Karnchanachari”, thuhet në njoftim

Në takim, presidentja rikujtoi vizitën e saj në Tajlandë në vitin 2022, në shënim të dhjetëvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, si një moment kyç në thellimin e partneritetit mes dy vendeve.

“Ajo nënvizoi se vendimi i Tajlandës për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së shkëmbimeve ekonomike e kulturore midis shteteve, bizneseve dhe popujve tanë”, thuhet në njoftim.

Më tej presidentja Osmani riafirmoi gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të avancuar raportet dypalëshe me Mbretërinë e Tajlandës, në frymën e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›