Presidentja e KE-së, Leyen: Moment historik për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka vlerësuar si “moment historik”, Konferencën e parë Ndërqeveritare mes BE- Shqipëri- Maqedonia e Veriut. Ajo, në një komunikim me mediat, së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe të çekisë, Petr Fiala, ka vlerësuar punën e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për afrimin me BE-në, por dhe ka nënvizuar edhe plan personal përkushtimin e Ramës dhe Kovaçevskit, në këtë proces.
“Keni treguar shumë lidership, durim strategjik. Jo vetëm kaq. Në këto kohë me sfida të mëdha të sulmit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës, ju keni treguar lidership. Ju falenderoj personalisht”, theksoi presidentja e KE-së.
Ajo ka deklaruar se Komisioni Evropian ka mbështetur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë gjithë rrugës, gjë që do të vijojë ta bëjë edhe në të ardhmen. Sipas saj, komisioni dhe grupet e punës do të fillojnë punën sot.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë hapur negociata për aderimin në BE. Jam e lumtur që jam me ju. Ky është suksesi juaj. I juaj si qeveri, i qytetarëve tuaj, i popullit tuaj, që keni punuar kaq shumë për të arritur deri këtu. Keni treguar këmbëngulje, keni pasur përmirësim në rrugëtimin drejt BE-së. Keni bërë shumë reforma, keni modernizuar ekonominë. Këto reforma po japin një cilësi më të mirë jetese. Së pari mbi negociatat. Pas konferencës ndërqeveritare, KE dhe ekipet negociuese fillojnë punën sot. Të dinë detyrimet mbi traktatet dhe marrëveshjet evropiane. Pika e dytë është që ne do të vazhdojmë të jemi më afër në fushat kyçe. Shqipëria do të bashkohet me mbrojtjen civile evropiane dhe kjo do të rrisë përballjen që Shqipëria do të ketë mbi zjarret, tërmetet, në mënyrë të tillë që BE-ja do të jetë aty dhe do ta mbështesë sa herë që të ketë shkaqe të tilla. Pika e tretë, është se përfitimet do të vijojnë, teksa vijoni rrugën drejt BE-së. Do të ketë investime më të mëdha nga BE. Në fund kryeministër Rama dhe Kovaçevski, ju keni treguar kaq shumë lidership vizion, keni treguar durim strategjik, jo thjeshtë kaq, por në këto kohë të sulmit brutal rus, keni treguar bashkimin tuaj me vlerat evropiane”, theksoi Ursula von der Leyen.
/rtsh.al/