Presidentja sllovene Musar viziton Manastirin e Hyjëlindëses në Zvërnec

TIRANË, 24 maj/ATSH/ Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar e shoqëruar nga Presidenti Bajram Begaj dhe kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha vizitoi sot Manastirin e Hyjëlindëses në Zvërnec.
Kryebashkiaku Dredha në një postim në rrjetet sociale ndau momente nga vizita në manastir, një destinacion i zgjedhur nga vetë presidentja sllovene Musar.
“Bashkë me dy Presidentët dëgjuam nga At Jani Tereziu historinë e këtij vendi të shenjtë, ndërsa vendosëm buqeta me lule edhe në varrin e Marigo Posios. I lumtur të dëgjoja nga Presidentja e Sllovenisë përshtypjet e saj rreth bukurive të Vlorës dhe Zvërnecit, duke pohuar se është ndër destinacionet turistike që duhet të marrë vëmendjen e duhur”, theksoi Dredha.
Po ashtu, presidenti Begaj vlerësoi rritjen e interesit të vizitorëve në Manastirin e Zvërnecit dhe në të gjitha atraksionet turistike që Vlora ofron.
Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar nisi dje një vizitë zyrtare në vendin tonë. Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Begaj, Musar tha se “Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
1 nga 14/k.s/r.e/