E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presion pedagoges, pranga punonjësve të administratës

GJIROKASTËR- Dy punonjës të administratës shtetërore në Gjirokastër janë vënë në pranga, pasi i bënin presion një pedagogeje të universitetit "Eqrem Çabej". Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se Adriatik Çalaj, 29-vjeç dhe Laert Braho,
30-vjeç janë arrestuar në flagrancë duke marrë shumën prej 4 mijë eurosh që i kishin kërkuar pedagoges me inicialet A. Sh, për të mos bërë publike disa materiale filmike kompromentuese. Ka qenë operacioni i koduar "Inteligjenca", një bashkëpunim ndërmjet specialistëve të Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe Specialistëve të Departamentit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ai që është finalizuar me arrestimin në flagrancë të dy punonjësve të administratës publike. "Këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin, i kanë kërkuar një shumë prej 4000 eurosh, shtetases A. Sh, me detyrë pedagoge në universitetin "Eqrem Çabej" Gjirokastër, në këmbim që të mos bënin publik një material filmik kompromentues që kishin për këtë shtetase, ose të mos ta procedonin atë"- thotë zëdhënëse Gentian Mullai. Sipas tij, shuma prej 4000 eurosh është marrë nga shtetasi Laert Braho për t'ju dhënë shtetasit Adriatik Çalaj. Në momentin që shtetasi Laert Braho ka marrë shumën e lekëve është arrestuar në flagrancë nga policia dhe shuma e lekëve është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu në momentin e kapjes shtetasit Adriatik Çalaj iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një disketë me materiale, me të cilat i bënin shantazh shtetases së mësipërme.
Mësohet se shtetasi Adriatik Çalaj ishte punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa Laert Braho kryente detyrën e inspektorit në degën e Tatim- Taksave Gjirokastër.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›