Presioni arrin efektin, Kuvendi tërhiqet për rastin “Kiçina”

Është hequr nga rendi i ditës votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar për rastin “Kiçina”.
Propozimi ka ardhur nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është përkrahur nga shumica e partive parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka kërkuar votimin e rekomandimeve.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka kërkuar që procesverbali i seancës të i dërgohet organeve gjyqësore për të shqyrtuar edhe njëherë këtë rast. “Ne e kemi dëgjuar debatin me vëmendje i cili është zhvilluar këtu, është diskutuar dhe debatuar gjerë e gjatë. Nga diskutimet janë ngritur disa dyshime, prandaj ne kërkojmë që ky procesverbali të i dërgohet organeve përkatëse që të bien vendimin e duhur”, ka thënë Grabovci.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se partia e tij edhe herën e kaluar ka tërhequr vëmendjen se ky debat do të ndërhynte në gjyqësor.
“Diskutimi i vendimeve të gjykatave individuale është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe e kemi thënë edhe seancën e fundit”, ka theksuar Gashi.
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka kërkuar që të votohen rekomandimet dhe të formohet komisioni që është paraparë.
“Ne mbesim pas asaj që kemi nënshkruar kërkesën e Ramiz Lladrovcit. Ne kërkojmë që kjo të hidhet në votim dhe të krijohet komisioni. Procesverbali le të i dërgohet organeve gjyqësore, por duhet të krijohet komisioni”, ka thënë Ymeri.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka përkrahur propozimin e PDK-së.
Pas hedhjes në votim me shumicë votash është hequr nga rendi i ditës, votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar për rastin “Kiçina”, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, i mbështetur nga deputetët nënshkrues.
Në këto rekomandime ishte kërkuar që të krijohet një Komision Ad-hoc për të shqyrtuar edhe njëherë vendimin e Gjykatës për rastin “Kiçina”./Indeksonline/