Pretendime serbe për PTK-në
Autoritetet kosovare e vlerësojnë përpjekje të
destinuar të dështojë, veprimin e Telekomit Serb, i cili u bën thirrje blerësve
potencialë që të mos blejnë asetet e Postës dhe Telekomit të Kosovës
Prishtinë, 27 Gusht 2010 - Një ditë më parë,
në gazetën prestigjioze Financial Times, Telekomi i Serbisë i ka paralajmëruar
të gjithë blerësit e mundshëm të PTK-së që të mos e bëjnë këtë, pasi, siç
thuhet, bëhet fjalë për pronë të rrëmbyer të firmës serbe.
Kryeshefi ekzekutiv i Postë Telekomit të Kosovës, Shyqeri Haxha thotë se
paralajmërimi i Telekomit serb nuk do të ndikojë në privatizimin e kompanisë
kosovare.
Ata mundohen ti frikësojnë investitorët potencialë, mirëpo këto janë tentime
të vazhdueshme të Serbisë që çdo gjë që ka të bëjë me jetësimin e shtetit të
Kosovës ata e pengojnë, i përdorin forcat e fundit. Juridikisht nuk kanë asnjë
të drejtë, por këto janë përpjekje të tyre që tia ulin vlerën
kompanisë, tha Haxha.
Telekomi i Serbisë ka paralajmëruar të gjithë investitorët se me mjete juridike
do të luftojë kundër atyre që vendosin ta blejnë aksionet e PTK-së.
Drejtori i Përgjithshëm i Telekomit të Serbisë, Branko Radujko ka thënë për
mediat serbe se kjo kompani ka qenë e detyruar të reagojë në këtë mënyrë pas
njoftimit për shitjen e PTK-së.
"Ky është reaksion i kompanisë, i biznesit, pa ndonjë ndikim politik.
Gjërat janë të thjeshta, dikush paralajmëron se do të shesë diçka, e ne besojmë
se në atë që po shitet ka diçka, që është pronë e jona. Pasi që nuk kemi mënyra
se si të ndikojmë në shitje, ne iu kemi drejtuar blerësve potencialë dhe u kemi
tërhequr vërejtjen, ka thënë Radujko, i cituar sot nga radio Evropa e Lirë.
Por, kundër këtij veprimi të Telekomit të Serbisë ka reaguar misioni i OKB-së
në Kosovë, i cili edhe e ka themeluar PTK-në që në vitin 1999.
PTK-ja në territorin e Kosovës është themeluar nga UNMIK-u dhe i është dhënë
autoriteti nën rregulloren e UNMIK-ut 1999/12 të 14 tetorit të vitit 1999, për
të ofruar shërbime postare dhe të telekomunikimit në territorin e Kosovës.
Themelimi i PTK-së si ofrues i shërbimeve postare dhe telekomunikimit në
Kosovës është bërë në përputhje me mandatin e UNMIK-ut nën rezolutën 12 44 të
KS-së të OKB-së dhe PTK-ja qe autorizuar që të përdorë të gjitha pajisjet dhe
instalimet telekomunikuese publike në Kosovë, tha zyrtari për informim në
këtë mision Xhakob Kuin.
Ai nuk ka sqaruar nëse qeveria e Kosovës ka të drejtë të shesë kompaninë publike.
Në anën tjetër, eksperti i telekomunikacionit, dikur udhëheqës në PTK, Agron
Dida, thotë se veprimi i Telekomit të Serbisë do të ketë ndikim negativ te
investitorët potencialë.
Kjo çështje përsëritet edhe me asetet e pronave tjera të Kosovës, të gjitha
janë të kontestuara nga Serbia. Por, kjo është cështje e së drejtës pronësore
të Kosovës, pas sjelljes së rezolutës 12 44 dhe shpalljes së pavarësisë- këto
dyja kanë implikim edhe në çështjen e pronësisë, që trashëgohet në
Kosovë".
"Fatkeqësisht mund te ketë ndikim negativ te investitorët. Kemi pasur edhe
rastin e Trepçës, i cili mbetet problem dhe pezullon privatizimin e kësaj
ndërmarrjeje, thotë Dida.
Qeveria e Kosovës, tashmë ka vendosur që të privatizojë 75 për qind të aseteve
të Postës dhe Telekomit të Kosovës, ndërkaq 25 për qind e aksioneve do të
mbeten në pronësi të Qeverisë.
Shyqeri Haxha siguron blerësit potencialë se nuk do të kenë pasoja juridike po
që se investojnë në PTK, e cila sipas tij, në muajt e fundit ka shënuar rritje
të dukshme të të hyrave dhe shtrirje të shërbimeve për konsumatorët kosovarë.
Ne do të informojmë se ajo nuk qëndron, dhe nuk mund të merret si rrezik nga
blerësit potencialë, tha Haxha.
Kontestet me Serbinë për shitjen e ndërmarrjeve publike në Kosovë kanë qenë
pothuaj tërë kohën aktuale, pasi që ndryshe nga vendet tjera të ish
Jugosllavisë, të cilat me marrëveshje përkatëse kanë ndarë trashëgiminë nga
federata e dikurshme jugosllave, kjo gjë nuk është bërë mes Kosovës e Serbisë.
Sidoqoftë, kundërshtarë të shitjes së PTK-së, ka edhe brenda Kosovës, të cilët
kritikojnë qeverinë për mostransparencë në procesin e privatizimit të kompanisë
publike, që konsiderohet të jetë më fitimprurësja në vend.