E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet Fryma e Re Demokratike

Fryma e Re Demokratike është partia më e re, e cila do të mbledhë mesditën e së hënës, në një seli përballë Parlamentit të Shqipërisë, jo vetëm themeluesit e saj, por edhe simpatizantët.

Duket se pritja relativisht e gjatë për krijimin e partisë, u ka vlejtur organizatorëve, për të siguruar mbështetje të madhe në momentin e themelimit, si dhe për t’u futur në negociata me deputetë të tjerë të grupit parlamentar të PD-së në kuadër të tërheqjes së tyre drejt partisë së re.

Mesdita e së hënës pritet t’i gjejë në zyrat e tyre të reja themeluesit kryesorë të Frymës së Re Demokratike, për të pritur median dhe jo vetëm.

Burimet bëjnë të ditur se një atmosferë festive dhe entuziaste do ta rrethojë dhe selinë e kësaj partie gjatë kohës kur në ambientet e brendshme të saj, themeluesit do të lexojnë programin dhe do të paraqesin platformën politike për të gjithë shqiptarët. Pas paraqitjes së programit, platformës, simboleve dhe filozofisë, kryetari i përkohshëm i kësaj partie do të nisë aty dhe procesin e hedhjes së firmave për themelimin mënyrë ligjore të partisë së re.

Deklarata pritet që pas firmosjes nga personat që do të jenë brenda selisë, të firmoset dhe në ambientet e jashtme të saj, ku dhjetëra simpatizantë do të jenë të gatshëm të vendosin firmat e tyre, mbi dokumentin që do të paraqitet më pas në gjykatë. E hëna do të zbulojë në fund dhe emrat e plotë të themeluesve kryesorë të partisë, të cilët do të jenë rreth 15 dhe mes tyre nuk do të mungojnë dhe figura të rëndësishme të tranzicionit shqiptar. Fakti i lidhjes se kësaj partie me  kreun aktual të shtetit, Bamir Topi, ka sjellë reagimet nga përfaqësuesit e grupit parlamentar të PD-së.

Planet

FRD nuk pritet të jetë një parti, e cila do të kënaqet me pak, por mësohet se planet e saj pas formimit, lidhen dhe me tërheqjen e sa më shumë deputetëve demokratë drejt saj. Burime pranë kësaj force bëjnë të ditur se aktualisht po bëhen negociata me rreth dhjetë deputetë demokratë. Grupi organizator i kësaj partie bën të ditur se një pjesë e këtyre deputetëve të PD-së janë shprehur entuziastë për këtë lëvizje të re të së djathtës dhe janë aktualisht në periudhë reflektimi për të ardhmen e tyre politike. Sipas organizatorëve, qëllimi kryesor i këtyre negociatave është formimi i një grupi parlamentar të fortë në Kuvend. Aktualisht kjo parti është e përfaqësuar në Kuvend vetëm me kryetarin e saj, ish-deputetin e PD-së, Gazmend Oketa.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›