E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet Vila tek Atletiko Madrid, Alkantara te Bajerni dhe Kavani te PSG

E marta ka qenë ditë prezantimesh për blerjet më të fundit dhe më të bujshme në këtë merkato vere, teksa janë prezantuar David Vila, Tiago Alkantara dhe më vonë transferimi më i shtrenjtë i këtij viti, Edinson Kavani, me plot 63 milionë euro. Në intervistën e tij të parë si bavarez, Tiago Alkantara u shpreh i lumtur për transferimin e tij në Mynih, duke e cilësuar kalimin në “Alianz Arena” si ditën më të bukur të jetës së tij: “Nëse në jetë ka një ditë kur një njeri ndihet absolutisht i lumtur, atëherë kjo është ajo ditë. Jam i kënaqur që gjendem në një prej klubeve më të mëdha të botës”, - ka pohuar Alkantara, që ia dedikon këtë nder trajnerit Guardiola, pasi ishte ai që e donte në ekip.
Ndërkohë, më herët është prezantuar David Vila tek Atletiko i Madridit, i cili ka deklaruar në konferencën për shtyp: “Falkao ka shënuar një “thes” me gola këtu dhe nuk besoj se do të ketë sulmues tjetër që do të shënojë aq shumë, por objektivi im nuk është të thyej rekordin e Falkaos, por të jap më të mirën time.” Lidhur me largimin nga Barcelona, Vila theksoi se pranoi ofertën e Atletikos sepse dëshiron të luajë më shumë: “Lashë Barcelonën sepse para është kampionati botëror dhe i druhesha faktit se mund të mos grumbullohesha. E dashuroj këtë sport, sepse dua të luaj”, - shtoi Vila. Në tre vjet me katalanasit, Vila zhvilloi në total 77 ndeshje, duke realizuar 33 gola. (E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›