Prezantohet projekti i memorialit
Detajet e objekti kushtuar Nënë Terezës në Tiranë, prezantohen sot nga Fondacioni që drejton Liri Berisha
Ceremoniali i aktiviteteve për nder të 100-vjetorit zhvillohet sot në dy drejtime: në Katedralen e Vaut të Dejës dhe në Tiranë.
Qeveritarë, përfaqësues të klerit shqiptarë dhe të trupave diplomatikë në Tiranë, nisen mëngjesin e sotëm për të marrë pjesë në Meshën solemne që organizohet në Katedralen "Nënë Tereza", në Vaun e Dejës.
Në mesditë në orën, 13:30 - 14:00 bëhet prezantimi i Projektit të Memorialit të Nënë Terezës nga Fondacioni Kulturor "Nënë Tereza", në Hotel Sheraton. Ky duhet të jetë aktiviteti më i rëndësishëm i 26 gushtit, njohja me detaje të projektit ideja e të cilit u bë publike në shkurt he urdhër të kreut të qeverisë, Sali Berisha me rastin e shpalljes së vitit 2010 "Viti i Nënë Terezës".
Projekti është marrë përsipër nga Fondacioni Kulturor "Nënë Tereza" i cili drejtohet nga Liri Berisha, bashkëshortja e kryeministrit, dhe objektiv kryesor ka promovimin e vlerave të figurës së humanistes.
Në këtë rast Fondacioni ka marrë përsipër hartimin e projektit arkitektonik, kur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve është ngarkuar për të hartuar programin për Memorialin, konceptimin e ekspozimit të objekteve të Nënë Terezës. Ndërtimi i objektit financohet nga Qeveria Shqiptare.
Pas prezantimit, shtrohet një drekë nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferaj, për të ftuarit pjesëmarrës.
Ndalesa e orës 17:00 është në Muzeun Historik Kombëtar ku janë ekspozuar foto dhe objekte personale të Nënë Terezës, ekspozitë e organizuar nga MHK dhe Fondacioni Kulturor "Nënë Tereza".
Në orën 18:30 në Teatrin e Operës dhe Baletit, një koncert, "Rruga e jetës sime", kushtuar figurës së Nënë Terezës.
26 gushti qeveritar mbyllet me darkën që Kryeministri Berisha ofron në Pallatin e Brigadave.
Siç shihet kjo ditë dominohet nga ceremonitë protokollare dhe politika.