Topi: Dialogu bosh mes PD e PS s'ka vlerë

Kryeministri Berisha deklaroi dje se mbetet i hapur për dialog konstant, për bashkëpunim konstant me opozitën
Presidenti apelon për konsensus: Kur ka dialog pa fund dhe pa zgjidhje, pastaj nuk jemi racionalë
TIRANË - Mbledhja e djeshme e ambasadorëve shqiptarë nuk ka lënë jashtë temës dhe debatin e nxehtë të politikës shqiptare mbi zgjidhjen e krizës, ku Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi, kanë shprehur qëndrimet e tyre mbi zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Si shpesh herë kohët e fundit, fjalët e Presidentit dhe Kryeministrit nuk kanë qenë në sinkron me njëra-tjetrën. Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në konferencën e ambasadorëve, Berisha rishprehu qëndrimin mbi çështjet e pazgjidhura me opozitën, duke thënë se mbetet i hapur për dialog konstant, për bashkëpunim konstant me opozitën.
Megjithëse këto fjalë duken të dëgjuara dhe mbetemi në të njëjtën çështje pa një zgjidhje konkrete, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar se dialogu duhet të mos jetë pa fund dhe pa zgjidhje.
Berisha
Në fjalën e mbajtur përpara ambasadorëve shqiptarë, Berisha tha se në rrafshin politik Shqipëria ka bërë një progres të madh dhe ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë.
Sipas tij, një vit më parë Shqipëria zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai tha se pa këtë mekanizëm jetik për çdo shoqëri të lirë, integrimi europian për shqiptarët do të ishte një horizont që largohej prej tyre.
Kryeministri shtoi se pavarësisht nga debatet, por asnjë institucion, asnjë qeveri, nuk ka vënë në diskutim se qytetarët shqiptarë më 28 qershor shprehën vullnetin e tyre lirisht, se nxorën një shumicë ilegjitime dhe se kanë institucione legjitime.
"Duke theksuar këtë, qeveria në asnjë rrethanë nuk lejon arrogancën, indiferencën apo prepotencën ndaj pretendimeve të opozitës. Jo! Kemi qenë, mbetemi dhe do të jemi të hapur për dialog konstant, për bashkëpunim konstant me opozitën.
Disa propozime janë bërë. Mendoj se në këto propozime, me frymën e kompromisit, mund t'i jepet përgjigje përfundimtare, në mënyrë të ndershme, të gjitha pretendimeve", shprehu gatishmërinë Sali Berisha.
Më tej, kreu i qeverisë vlerësoi se Shqipëria disponon të gjitha mundësitë për t'i dhënë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha çështjeve politike të brendshme që mund të ngrihen. Për të, institucionet e vendit janë në një proces konsolidimi dhe është kusht përcaktues në kriteret e Kopenhagenit konsolidimi i institucioneve dhe respektimi i tyre.
Topi
Me tone diplomatike, Presidenti Topi, në një komunikim për mediat në ambientet ku zhvillohej konferenca e ambasadorëve të organizuar nga Ministria e Jashtme, inkurajoi arritjen e një zgjidhje politike përmes dialogut.
Në këtë takim, kreu i shtetit dha edhe mesazhin e tij të radhës ndaj forcave politike në Shqipëri që megjithëse deklarojnë se prej kohësh janë në negociata midis tyre, nuk kanë arritur ende një marrëveshje.
"Unë mbetem gjithmonë inkurajues i dialogut politik dhe i zgjidhjeve të rëndësishme që vijnë nëpërmjet dialogut politik, sepse kur ka dialog pa fund dhe pa zgjidhje, pastaj nuk jemi racionalë.
Kështu që unë mendoj se të gjithë duhet t'i kontribuojnë këtij komunikimi, i cili është domosdoshmëri civile e kohës, por edhe e politikës moderne për t'i krijuar të gjitha hapësirat Shqipërisë dhe shqiptarëve që të jenë më të qetë dhe të integrohen sa më shpejt", apeloi Topi.
I pyetur nëse do të ketë një zgjidhje të ngërçit në shtator, ai shprehu besimin se janë partitë politike, të cilat, pas konfigurimit të ri, pas zgjedhjeve të fundit janë më pak në Parlament, që duhet të shprehin vullnetin dhe të japin zgjidhjet e tyre. Për sa i përket kandidaturave për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, Kreu i Shtetit tha se është duke punuar për përzgjedhjen e këtyre kandidaturave.
"Pavarësisht se shumë njerëz janë me pushime, unë jam në punë dhe jam në vijim të atij procesi që do të garantojë sigurinë që këto institucione do të jenë me njerëzit më të përgatitur", deklaroi Topi.
MESAZHI
"Unë mbetem gjithmonë inkurajues i dialogut politik dhe i zgjidhjeve të rëndësishme që vijnë nëpërmjet dialogut politik, sepse kur ka dialog pa fund dhe pa zgjidhje, pastaj nuk jemi racionalë. Kështu që unë mendoj se të gjithë duhet t'i kontribuojnë këtij komunikimi, i cili është domosdoshmëri civile e kohës, por edhe e politikës moderne", dërgoi mesazhin forcave politike, Presidenti Topi.
BASHKËPUNIMI
"Qeveria në asnjë rrethanë nuk lejon arrogancën, indiferencën apo prepotencën ndaj pretendimeve të opozitës. Jo! Kemi qenë, mbetemi dhe do të jemi të hapur për dialog konstant, për bashkëpunim konstant me opozitën. Disa propozime janë bërë. Në këto propozime, me frymën e kompromisit, mund t'i jepet përgjigje përfundimtare, në mënyrë të ndershme, të gjitha pretendimeve", tha Berisha