E Martë, 3 Nëntor 2026

Prezantohet raporti për Shqipërinë në PE: Përparim i mirë në rrugën drejt BE-së

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian diskutoi sot progres-raportin për Shqipërinë i hartuar nga Andreas Schieder.

Andreas Schieder (S&D), raportuesi i PE-së për Shqipërinë, vuri në dukje se vendi po përparon në rrugën e tij drejt BE-së, gjë që u reflektua nga fakti se grupkapitujt 1 dhe 6 u hapën vitin e kaluar, por se shumë sfida duhej të adresoheshin ende për të arritur objektivin ambicioz, por realist, për të qenë gati për në BE në 2030.

Sipas Schieder, Shqipëria ka bërë një progres të rëndësishëm në shtetin e së drejtës dhe demokracinë, por ka sfida kryesore që vazhdojnë, duke përfshirë: polarizimin e brendshëm politik, reformat kundër korrupsionit, reformën zgjedhore, pavarësinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit.

Edhe Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian shkroi në rrjetet sociale se ”Shqipëria po përparon mirë në rrugën e saj drejt BE-së, tregon raporti i këtij viti mbi gatishmërinë e vendit për anëtarësim në BE”.

Eurodeputetët kanë vlerësuar reformat sidomos në drejtësi dhe punën e SPAK në ndëshkimin e korrupsionit politik.

Një pjesë e eurodeputetëve vunë në dukje se Shqipëria ende përballet me një sërë sfidash, si tejkalimi i polarizimit të brendshëm politik, ndërkohë që kërkuan forcimin e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

Ata këmbëngulën në nevojën për të adresuar dhe zbatuar rekomandimet e pazgjidhura nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias. Sakaq zgjedhjet parlamentare të 11 Majit konsiderohen si gur prove në arritjen e standardeve të kërkuara nga Brukseli.

Albania is advancing well on its path towards the EU, shows this year’s report on the country’s preparedness for EU membership.

However, several challenges still need to be addressed to achieve the ambitious, yet realistic, goal to be ready for the EU by 2030.@SCHIEDER pic.twitter.com/XCo7DKqpzQ

— S&D Group (@TheProgressives) March 18, 2025

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›