Rama: Nisim investimin në spitalin e Korçës, 600 mijë qytetarë të pasiguruar shërbim shëndetësor falas

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sot sërish pyetjeve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale.
Kryeministri dhe njëherazi kreu i PS, Rama, është ndalur sërish te investimet në shëndetësi gjatë tri mandateve qeverisëse në drejtimin e Partisë Socialiste, duke shtuar se në “shëndetësi, vetëm ai që nuk do, nuk i sheh ndryshimet”.
“Unë besoj që kur vjen puna te shëndetësia, vetëm kush nuk do t’i shoh nuk i sheh ndryshimet. Kemi ndërtuar 53 spitale, spitali i Korçës i cili është në investim tani dhe duhet të mbarojë në 2027. E di kur është ndërtuar? Në 1927 dhe e di që nga 1927 aty nuk është bërë asnjë investim?
Po kur janë bërë investimet e fundit për të ndërtuar spitale? Në vitet 1970, 60’, 50’. 53 spitale të ndërtuara, 10 komplet nga e para që nuk ekzistonin, 43 të tjera janë hedhur në tokë dhe ribërë.
Kur ne kemi marrë detyrën, shëndetësia kishte 250 milionë euro total, sot ka 760 milionë euro në total, po të llogarisësh programin e Mbështetjes Sociale shkon në një miliardë euro”, u shpreh Rama.
Kreu i ekzekutivit theksoi në fjalën e tij se “sot, janë 600 mijë qytetarë që janë në pamundësi sigurimi dhe e marrin shërbimin shëndetësor falas, edhe pse nuk kanë paguar ndër vite kontributet”.
“Po ambulanca dhe qendrat shëndetësore…400 ambulanca dhe qendra shëndetësore që ishin karakatina, ku kujt i binte rruga, gjente aty vetëm një infermier duke pirë cigare, me skelet krevatesh hekur, hedhur sipër një nga ato batanijet e vjetra ushtarake si letër smeril që të kruante lëkurën. Shëndetësia falas, pasaporta e BE-së është aty për t’u marrë, por duhet bërë sforcoja finale për ta marrë”, pohoi Kryeministri.
Kryeministri Rama u ndal edhe tek fjala e Komisioneres së Zgjerimit në BE, Marta Kos gjatë vizitës së saj në Shqipëri pak ditë më parë. Komisionerja tha gjatë konferencës për shtyp, se viti 2027 është përcaktuar për të mbyllur negociatat me Shqipërinë.
“Dy vjet e gjysmë dhe mbaron një histori prej 200 vjetësh e gjysmë. Kjo është historia dhe historinë e bëjnë ata që në radhë të parë e shohin trenin e historisë dhe nuk kthehen nga ana tjetër dhe thonë “hë mo se do zgjohem nesër”.
Po, çmimet e barnave, krahasuar me vitin 2013 kur është rritur çdo çmim, ne i ulëm 30%, hoqëm TVSH nga aspirina dhe dyfishuam fondin e barnave të rimbursueshme. E dini ju sa pensionistë janë sot që përfitojnë 100% barna të rimbursueshme? 210 mijë pensionistë që kanë marrë barna dhe janë rimbursuar. Po pagat e mjekëve, 490 euro në vitin 2013, 1670 euro në vitin 2024. Po paga mesatare, 1670 euro paga mesatare. Po paga e infermierëve, trefish më e lartë, 280 euro ishte, 850 euro është. Po Urgjenca Mjekësore, 100 autoambulanca si karroca dylit, rojet e natës me ato telefonat me tel dhe e lëshonin poshtë dhe dilte gjithmonë e zënë urgjenca.
320 autoambulanca të reja, të mirëpajisura me të gjitha mjetet jetëshpëtuese dhe 15 minuta nga marrja e njoftimit, ka edhe më shpejtë”, tha Rama.
1 nga 2/a.f/