Prezantohet zyrtarisht në Kuvend rezoluta çame. Idrizi: Nuk i shpallim luftë Greqisë, por kërkojmë paqe

Dy deputetët e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi dhe z. Dashamir Tahiri depozituan sot zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë, Projekt-Rezolutën për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Rezoluta u dorëzua në orën 11:00 në protokollin e Kuvendit dhe prej aty do të nis procedura legjislative deri në kalimin e saj në seancë plenare, pasi të kalojë paraprakisht në Komisionin e Jashtëm dhe në Komisionin e Ligjeve.
Pas dorëzimit të rezolutës, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi e vlerësoi këtë rezolutë si një hap të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes çame. “Ne sot dorëzuam zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Kjo rezolutë nuk i shpall luftë Greqisë, por është një rezolutë paqeje, që kërkon shfuqizimin e ligjit grek të luftës ndaj Shqipërisë, që mban peng pronat e shqiptarëve të Çamërisë” – deklaroi z. Idrizi.
Sipas tij, rezoluta është një amanet i shqiptarëve të Çamërisë të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mbi 20 për qind të kësaj popullsie, që u vra dhe u masakrua në fund të Luftës së Dytë Botërore. “Rezoluta është testament i atyre mijëra shqiptarëve të Çamërisë që u vranë dhe u masakruan, por dhe një testament i gjallë. Kjo nuk është thjesht rezolute e PDIU, por është rezolutë e dy shqiptarëve çamë që iu adresohet për mbështetje të gjithë deputetëve dhe popullit shqiptar.” – tha kreu i PDIU-së.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me lobimin ndaj forcave të tjera politike, në lidhje me miratimin e rezolutës, z. Idrizi theksoi se kjo rezolutë është çuar për t’u votuar nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe jo nga partitë. “Nuk do t’i drejtohemi partive parlamentare, por do t’i drejtohemi ndërgjegjes kombëtare të parlamentarëve shqiptarë” – tha z. Idrizi.
Drafti i rezolutës u publikua dje dhe përmban përveç referimit historik dhe ligjor, edhe trembëdhjetë kërkesa zyrtare që Kuvendi i Shqipërisë, do t’i adresojë ndaj institucioneve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Data 10 dhjetor që u përzgjodh për prezantimin e rezolutës në Kuvendin e Shqipërisë, është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
...