E Diel, 1 Nëntor 2026

Kronika/Papavrami: “Koncerti në Tiranë nuk është një dëshirë, por një ndjenjë e vërtetë”

10-12-2012 / Gazeta 55

“Different Trains” është festivali që ka kthyer në atdhe Tedi Papavramin, Klajdi Sahatçinë, Dorian Xhoxhin e Vlorent Xhafaj, instrumentistët shqiptarë të famshëm në botë. Festivali po zhvillohet në Tiranë, nga datat 7-10 dhjetor, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Ai ka për qëllim bashkimin në Shqipëri, të disave prej artistëve më të mirë shqiptarë, të afirmuar jashtë vendit dhe disa prej muzikantëve të huaj me reputacion ndërkombëtar për të luajtur të gjithë së bashku për herë të parë në atdhe. Të ftuar në festival janë edhe artistët e huaj si, pianisti italian Andrea Rebaudengo, pianisti francez Francois-Frederic Guy, apo violinisti spanjoll Joaquin Riquelme Garcia. Në program, janë pjesë nga Mozart deri tek Shostakovic, duke kaluar te Mahler e Debussy, përfshihen me një fjalë dy shekuj muzike dhe stile muzikore të ndryshme. “Nuk mund të thuash që është një dëshirë, por një ndjenjë. Ne duam që thjesht që të dëgjohet, pasi esenca e muzikës klasike është koncerti”, tha Tedi Papavrami në një konferencë për shtyp. Ndërsa violinisti Sahatçiu e vuri theksin tek mungesa e mundësive për të bërë sa më shumë koncerte në Shqipëri. Ndërsa Xhoxhi vlerësoi rëndësinë e luajtjes së muzikës së dhomës në vendin tonë. “Në Shqipëri muzika e dhomës nuk luhet aq shumë. Për mendimin tim kjo duhet bërë pa tjetër sepse janë kryevepra të muzikës botërore dhe për ne si muzikantë kjo është kulmi”, tha ai.
Pas koncertit të parë që u zhvillua mbrëmjen e së premtes në Universitetin e Arteve, mbrëmë ka qenë radha e koncertit më të rëndësishëm, i cili ka lënë pa frymë qindra të pranishmit, që s’pushuan se përshëndeturi interpretimin e virtuozëve, qe janë edhe krenaria e kombit shqiptar. Festivalin dëshirojnë ta kthejnë në traditë këta artistë shqiptarë, të cilët bota i vlerëson maksimalisht për gjenialitetin muzikor, ndërkohë që në mënyrë paradoksale institucionet e vendit të tyre janë treguar indiferentë ndaj kësaj nisme fisnike që instrumentistët e bënë për publikun shqiptar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›