Prifti: KESH, zonat turistike, përparësi me energji
Ministri i Ekonomisë inspekton investimet në HEC-in e Bistricës në Sarandë
Furnizimi me energji i zonave turistike ka qenë një prioritet i qeverisë dhe KESH-it, ndaj dhe është investuar në burimet e reja energjitike në këto zona, me qëllim që operatorëve turistikë të mos u krijohen probleme në ecurinë e sezonit. Për të parë nga afër investimet në hidrocentralin e Bistricës në zonën e Jugut, ka zbritur në Sarandë vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti. Ministri ka vlerësuar investimin e ri të bërë në HEC-in e Bistricës dhe ka falënderuar punonjësit e KESH-it që kanë punuar me orare të zgjatura për të garantuar furnizimin me energji të zonave turistike.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Dritan Prifti, vizitoi dje hidrocentralin e Bistricës, në Sarandë, ku inspektoi investimet e kryera në këtë HEC. Gjatë vizitës në hidrocentralin e Bistricës, ministri pa nga afër se si punohej në këtë vepër energjitike, si dhe zhvilloi disa takime me punonjës të HEC-it. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës shprehu kënaqësinë e tij lidhur me investimet e kryera në hidrocentralin e Bistricës. Ndërkohë, ministri Dritan Prifti shprehu falënderimet e tij për punonjësit e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, të cilët në këtë periudhë po punojnë me orare të zgjatura, në mënyrë që tu shërbejnë sa më mirë zonave turistike për furnizimin e tyre me energji elektrike. Dëshiroja të shihja si kishin përfunduar investimet e reja në këtë HEC. Po ashtu, erdha për të falënderuar punonjësit e KESH-it që po punojnë me orë të gjata për tu shërbyer zonave turistike në vend, - u shpreh ministri z. Prifti. Në prononcimin e tij për mediat, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës u ndal edhe në fushën e turizmit. Duke qenë se në Sarandë në këtë periudhë ka një fluks turistësh, ministri z. Prifti theksoi se një ndër arsyet e vizitës së tij në hidrocentralin e Bistricës është njohja nga afër me shërbimin që bëhet për furnizimin e zonave turistike me energji elektrike. Në këtë drejtim, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës u shpreh se operatorëve të turizmit nuk u ka munguar energjia elektrike në ushtrimin e aktivitetit të tyre ekonomik. Për sa i përket hidrocentralit të Bistricës, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës tha se ai nuk paraqet probleme me përmbytjet dhe prurjet në këtë HEC janë të kontrolluara. Vetëm pak ditë më parë, ministri Dritan Prifti dha një konferencë për shtyp, gjatë së cilës njoftoi se ka një rritje të kërkesave të investitorëve për të investuar në fushën e prodhimit të energjive të rinovueshme. Interesi i investitorëve për të investuar kapitalet e tyre në sektorin e energjisë është në rritje, por një numë i madh kontratash janë firmosur për parqet eolike. Sipas të dhënave që bëri publike ministri pak ditë më parë lidhur për 7-mujorin e këtij viti, pranë METE-s janë trajtuar 51 kërkesa për hidrocentrale të reja dhe 8 kërkesa për parqe të prodhimit të energjisë nga era. Sipas tij, rezulton se investimi i përgjithshëm për ndërtimin e 51 hidrocentraleve dhe 8 parqeve të prodhimit të energjisë nga era është rreth 692 milionë euro. Në 51 kërkesa për ndërtimin e hidrocentraleve, vetëm gjatë shtatëmujorit të parë të vitit 2010 janë lidhur 19 kontrata për 19 hidrocentrale dhe 32 të tjera janë në fazën e tenderimit apo të negocimit të kontratave. Ministri sqaroi se vetëm për hidrocentralet parashikohet një investim prej 258.811.707 eurosh, me një fuqi të instaluar prodhimi 215 MW. Në këta shtatë muaj të parë të vitit 2010, gjithashtu janë paraqitur 8 kërkesa për parqe të prodhimit të energjisë nga era, me një vlerë investimi 433.998.454 euro dhe me një kapacitet prodhues 375 MW.