E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamping veror në Qeparo, Ministria e Mbrojtjes dhuron 10 çadra

Projekti/Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, viziton kampingun rinor në Qeparo, Himarë

Bregdeti i Jonit është nga më të preferuarit e turistëve që zgjedhin vendin tonë të kalojnë pushimet, por veç të tjerash, bregdeti i Jugut është një preferencë e veçantë e të rinjve shqiptarë. Një mundësi shumë e mirë për të kaluar pushimet në Qeparo, Himarë, është ofruar për të rinjtë nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ka dhuruar 10 çadra me kapacitet 80 vende për të akomoduar të rinjtë pushues. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka vizituar dje këtë kamping dhe ka takuar të rinjtë që po kalojnë pushimet në një mënyrë të veçantë.

Të bësh pushimet në bregdetin Jugut është një zgjedhje që shumë shqiptarë e bëjnë. Por, jo të gjithë kanë mundësi financiare për të përballuar akomodimin në hotele që përgjithësisht i kanë çmimet të kripura. Një mundësi shumë e mirë për të shijuar detin e Jonit, është akomodimi në kampingje me çadra me një çmim shumë të volitshëm. Kjo mundësi është ofruar nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ka dhuruar 10 çadra me kapacitet 80 persona dhe çmimi bashkë me ushqimin shkon vetëm 1000 mijë lekë. Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur menjëherë nismës së qeverisë dhe porosisë së veçantë të Kryeministrit Sali Berisha për të zbatuar projektin Politikat për zhvillimin e turizmit, i mbështetur edhe nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe njësia bashkiake nr. 10 në kryeqytet, i cili do të zgjasë në muajt gusht - shtator. Ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion të të rinjve shqiptarë që kanë përzgjedhur kampingun në natyrë për të kaluar pushimet në komunën Qeparo, 10 çadra me një kapacitet prej 80 vendesh. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë vizitës që bëri dje në kampingun rinor, ka takuar organizatorin dhe drejtorin e projekti pilot, Spiro Cura, të rinjtë pushues dhe banorë të komunës Qeparo. Gjatë takimit, ministri Imami ka nënvizuar rëndësinë e veçantë të projektit si për të rinjtë shqiptarë, promovimin e turizmit, por edhe për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura Shqiptare. Ministri Imami është njohur me kushtet e ofruara në këtë kamping, ku vlen të thuhet se kuota ditore e pagesës është vetëm një 1000 lekë, si për ushqimin gjatë gjithë ditës, ashtu edhe për akomodimin. Pavarësisht se nuk është një projekt i iniciuar nga ministria që ai drejton, në vetvete është shumë i rëndësishëm për strategjinë dhe doktrinën bashkëkohore të bashkëpunimit midis ushtrisë dhe publikut, marrëdhënie që mbeten ndër më prioritaret si për Ministrinë së Mbrojtjes ashtu dhe Forcat e Armatosura, ka theksuar ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Nga ana e tyre, të rinjtë janë shprehur shumë entuziastë dhe kanë pohuar se jo vetëm do të vijnë sërish, por do të përpiqen të bindin sa më shumë shokë dhe shoqe për të kaluar pushimet në natyrën e mrekullueshme të rivierës shqiptare. Në këtë vizitë, ministri Imami shoqërohej nga zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, kundëradmiral Kristaq Gerveni, kryetari i njësisë bashkiake nr. 10 në Tiranë, Blendi Fuga, si dhe banorë të zonës.

Imami: Reformat në ushtri kërkojnë rekrutë të rinj, të kualifikuar dhe me integritet

Z. ministër, cili ishte qëllimi i vizitës suaj në komunën Qeparo?

-Në bashkëpunim me pushtetin lokal po kështu edhe me organizatat rinore po përpiqemi që të japim një kontribut për të rinjtë shqiptarë që jo vetëm të argëtohen dhe të kalojnë pushimet sa më këndshëm, të njohin vendin e tyre, natyrën e mrekullueshme të rivierës, por duke u interesuar në mënyrë të veçantë edhe për përmirësimin e imazhit të ushtrisë sonë. Jemi të interesuar në vijimësi të shtojmë intensitetin e kontakteve me publikun, pasi kjo është parësore për ne. Një ushtri e NATO-s nuk mund të jetë një ushtri që jeton jashtë vendit, jashtë publikut, por duhet të jetë një ushtri e cila kontribuon për publikun, jep llogari para publikut, përgjigjet për taksat të cilat publiku paguan. Në këtë kontekst të marrëdhënies së Forcave të Armatosura dhe publikut është edhe ky kontributi ynë modest, i cili, në fakt, u organizua dhe zbatua në një kohë relativisht të shkurtër. Erdha këtu në Qeparo, për të takuar organizatorët e këtij projekti, ushtarakët tanë që janë përfshirë në këtë iniciativë, të cilët në bashkëpunim edhe me drejtuesit e pushtetit lokal kanë dhënë kontributin e tyre për këtë projekt. Duke u njohur sot nga afër me këtë projekt dhe kushtet konkrete kemi mundësi që vitin tjetër të japim një kontribut edhe më të madh, akoma më serioz, për të mundësuar vazhdimësinë e kësaj iniciative.

Si e kanë pritur të rinjtë këtë nismë dhe bashkëpunimin e ushtrisë në këtë nismë?

-Pata mundësinë që të takoja dhe të komunikoja me disa të rinj. E rëndësishme është që ne ti bindim këta djem e vajza që ushtria është një vend ku ata mund të vijnë të punojnë, të japin kontributin e tyre, që ushtria ka nevojë për qytetarë dhe për njerëz të kualifikuar dhe me nivel të lartë intelektual.

Projekti do të mbetet vetëm këtu apo mendoni se duhet të shtrihet në të gjitha zonat bregdetare të Shqipërisë?

-Në fakt, më duhet të theksoj se kjo nuk është një iniciativë e Ministrisë. Ne do të ishim të gatshëm, sigurisht, brenda kapaciteteve që kemi që të japim kontributin tonë dhe ndihmesën tonë. Do të japim kontributin tonë kudo që të na kërkohet dhe sigurisht do të përpiqemi që të shtojmë kontaktet tona me publikun e gjerë dhe sidomos me rininë. Pas 2-3 vjetësh ne do të fillojmë të rekrutojmë studentë të cilët janë diplomuar në universitetet shqiptare. Në qoftë se do të duam të kemi një reformë serioze e të plotë ushtrisë sonë, duhet pikërisht që të marrim ajkën e studentëve që dalin dhe diplomohen nga universitetet tona. Për ta bërë këtë duhet të shkojmë sa më pranë tyre, në mënyrë që ata ta prekin nga afër ushtrinë, të kuptojnë mënyrën se si funksionon ajo, por edhe rolin e saj në një shoqëri demokratike. Ky është një hap, kjo është një mundësi. Sigurisht që vitet e ardhshme do të përfundojmë projekte dhe programe nëpër universitete, në shkollat e larta në të gjithë vendin për ti afruar ata në ushtri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›