Princi Çarls: Njerëzimi po shkon drejt vetëvrasjes
Njerëzimi është në prag të një vetëvrasje në shkallë të gjerë në rast se nuk ndërmerren hapa të shpejtë për çështjet e natyrës dhe mjedisit.
Kështu paralajmëroi Prinçi Çarls i Uellsit.
Duke përdorur një gjuhë shumë të fortë, Princi Çarls tha se planetin e pret një ardhme e paimagjinueshme nëse nuk zgjidhen problemet e emetimit të dioksidit të karbonit në atmosferë, përdorimit intensiv të pesticideve në bujqësi dhe shkatërrimit të burimeve natyrore.
Princi, që akuzohet shpesh se e përdor pozicionin e tij për të ndikuar në politikat publike, zakonisht është i përmbajtur për çështjet e mjedisit.
Por në një paralajmërim apokaliptik, ai thotë se brezat e ardhshëm i pret një e ardhme e rrezikshme, pasi planeti po shkon drejt një pike pa rikthim.
Ai i bëri komentet në një video të dërguar gjatë një ceremonie ku mori një çmim për çështjet e gjelbërta.
Princi tha se shumë shpejt njerëzimi dhe toka do të vuajnë pasoja shumë të hidhura.
Ai tha se karburanti dhe rezervat me ujë të pijshëm po shterojnë, kurse atmosfera po vuan pasi në të po pompohen sasi shumë të mëdha dioksidi karboni.