Princi i kurorës në mërgim, Pahlavi: Republika Islamike në Iran drejt kolapsit

Reza Pahlavi, princi i kurorës i Iranit dhe djali i mbretit të fund persian (shahut), që jeton në mërgim, u bëri thirrje të martën bashkëkombësve të tij që të përgatiten për rënien e pashmangshme të udhëheqësit aktual Ayatollah Ali Khamenei dhe të Republikës Islamike, teksa vendi po has vështirësi në kundërpërgjigjet e ashpra të Izraelit.
“Republika Islamike ka prekur fundin dhe është në procesin e kolapsit. Khamenei, si një mi i frikësuar, është fshehur nëntokë dhe ka humbur plotësisht kontrollin e situatës,” shkroi Pahlavi në rrjetin social “X”. Ai shtoi se “ajo që ka nisur është e pakthyeshme. E ardhmja është e shkëlqyeshme dhe së bashku do ta kalojmë këtë kthesë të fortë në histori.“
Konflikti ushtarak mes Iranit dhe Izraelit hyri të mërkurën në ditën e gjashtë dhe gjasat për t’u ndalur së shpejti duken të pakta, pasi Tel-Avivi drejtoi sërish bombarduesit e vet në objektivat brenda kundërshtarit, duke shënjestruar sërish pikat ku zhvillohen aktivitete bërthamore.
Dinastia Pahlavi e sundoi Iranin gjatë periudhës 1925 deri në 1979, kur u rrëzua nga Revolucioni Islamik. Princi i kurorës në mërgim shtoi në reagimin e tij se ka një plan për vendosjen e një qeverie demokratike në Iran brenda 100 ditësh nga rënia e Republikës Islamike.
“Tani është koha të ngrihemi. Të ecim të gjithë përpara… dhe t’i japim fundin këtij regjimi. Mos qëndroni kundër popullit iranian për hir të regjimit, rënia e të cilit ka filluar dhe është e pashmangshme,” tha Pahlavi, duke ia drejtuar thirrjen ushtarakëve, autoriteteve ligjzbatuese, forcave të sigurisë dhe nëpunësve të shtetit. /TH
/rtsh.al/